Njerëzimi bën hapa përpara për agrikulturën hapësinore. Një bimë Camellia sinensis mund të kultivohet në Hënë, por jo në planetin Mars.
Sipas një simulimi të kryer në Universitetin Kent në Mbretërinë e Bashkuar dhe të prezantuar në workshop-in e parë evropian mbi bujqësinë jashtëtokësore, mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë, rezulton se bima e çajit jeshil mund të rritet e të zhvillohet në mjedisin e satelitit tonë, në të njëjtën mënyrë sikurse në Tokë.
Janë krijuar kushte identike në laborator për sa i përket lagështirës, ndriçimit, temperaturës dhe kushteve tipike që janë në Hënë dhe në Mars. Bima e çajit është kultivuar njëkohësisht në të dy mjediset jashtëtokësore, si edhe në terrenin natyror në Devon të Britanisë.
Pas disa javësh nën monitorim, bimët e kultivuara në terrenin e Hënës janë rritur mjaft mirë, duke hedhur rrënjë e duke u zhvilluar njësoj si ato në Tokë. Ndërsa në mjedisin e planetit Mars ndodhi e kundërta: bimët nuk u zhvilluan aspak.
Së shpejti do të nisin eksperimente për zgjerimin e kultivimit me bimë të tjera, në kuadër të misioneve të ardhshme në Hënë, të cilat mund të jenë afatgjata. /K.M
