Udhëheqësja më e njohur e opozitës venezueliane, María Corina Machado, u zotua të vazhdojë betejën e saj për ta çliruar vendin nga “korrupsioni i turpshëm”, “diktatura brutale” dhe “deshperimi”, teksa iu dha çmimi Nobel për paqen në një ceremoni në kryeqytetin norvegjez, Oslo.
Konservatorja 58-vjeçare ka jetuar në fshehtësi në Venezuelë që kur udhëheqësi autoritar i vendit, Nicolás Maduro, u akuzua se vodhi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 nga lëvizja e saj politike. Pavarësisht spekulimeve të shumta se ajo do të shfaqej papritur në ceremoninë e së mërkurës, pasi të kishte arritur të largohej fshehurazi nga Venezuela, Machado nuk ishte e pranishme, megjithëse pritej të mbërrinte në Oslo në orët në vijim.
Në një ligjëratë të mbajtur nga vajza e saj, Ana Corina Sosa Machado, ish-deputetja dhe aktivistja veterane pro-demokracisë u zotua të vazhdojë të drejtojë Venezuelën në “marshimin e gjatë drejt lirisë”. “Venezuela do të marrë frymë sërish”, tha Machado, e cila ka jetuar në ilegalitet që nga momenti kur Maduro nisi një valë represioni pasi refuzoi të pranonte humbjen e tij në zgjedhjet e vitit të kaluar, pavarësisht provave bindëse.
“Ne do të hapim dyert e burgjeve dhe do të shohim mijëra që u arrestuan padrejtësisht teksa dalin në diellin e ngrohtë, më në fund të përqafuar nga ata që nuk pushuan kurrë së luftuari për ta … Ne do të përqafohemi sërish. Do të dashurohemi sërish. Do të dëgjojmë rrugët tona të mbushen me të qeshura dhe muzikë”, shtoi Machado, të cilën disa e quajnë “Zonja e Hekurt” e Venezuelës. Duke hapur ceremoninë e së mërkurës, kryetari i komitetit norvegjez të Nobelit, Jørgen Ëatne Frydnes, tha se Machado ishte “e sigurt” dhe “do të jetë me ne në Oslo” pas “një udhëtimi në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”, megjithëse jo në kohë për eventin.
Në një mesazh audio të publikuar nga ekipi i saj, aktivistja falënderoi ata që “rrezikuan jetën” për ta nxjerrë atë nga Venezuela dhe konfirmoi: “Jam në rrugë e sipër … Do të shihemi shumë shpejt”. Nuk ishte menjëherë e qartë se si Machado kishte arritur të arratisej, por Ëall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë, raportoi se ajo kishte udhëtuar fshehurazi me varkë drejt ishullit të Karaibeve, Curaçao, të martën. Udhëheqës latino-amerikanë dhe figura të njohura, përfshirë presidentët e djathtë të Argjentinës, Ekuadorit, Panamasë dhe Paraguait – Javier Milei, Daniel Noboa, José Raúl Mulino dhe Santiago Peña – udhëtuan në Oslo për t’i ofruar Machado mbështetjen e tyre, ndërsa lëvizja e saj vazhdon fushatën për të larguar Maduro-n nga pushteti.
I pranishëm ishte edhe Edmundo González, diplomati 76-vjeçar që e zëvendësoi Machado-n në zgjedhjet e vitit të kaluar pasi ajo u ndalua të kandidonte, dhe që besohet gjerësisht se i fitoi ato. González u detyrua të ikte në mërgim në Spanjë për shkak të goditjes së regjimit pas zgjedhjeve. Pianistja dhe aktivistja venezueliane Gabriela Montero fluturoi drejt Norvegjisë për të performuar në ceremoninë e së mërkurës në bashkinë prej tulle të kuqe të Oslos.
Montero tha se Machado i kishte kërkuar të luante “Mi Querencia” (Streha Ime), një këngë e kompozitorit venezuelian Simón Díaz, e cila sipas pianistes flet për ekzodin e më shumë se tetë milionë njerëzve që janë larguar nga Venezuela për shkak të krizave ekonomike dhe represionit që kur Maduro mori pushtetin në vitin 2013. “Kënga flet për rikthimin në shtëpi”, tha Montero para ceremonisë.
“Kjo ka qenë mantra e María Corinës gjatë të gjithë këtyre viteve: që të gjithë të mund të kthehemi në shtëpi, që familjet të ribashkohen dhe vendi të rindërtohet me atë diasporë të madhe që është shpërndarë në botë për kaq shumë vite”. Montero i bëri homazh politikanes që ajo e quajti “gruaja më e guximshme dhe më e qëndrueshme që njoh”.
“María Corina nuk e braktisi kurrë luftën pavarësisht sakrificave të saj të mëdha personale … Ajo e mbajti gjithmonë synimin para syve: çlirimin e një vendi që ajo e do dhe për të cilin ka sakrifikuar jetën”, tha pianistja. Duke iu drejtuar audiencës, Frydnes vlerësoi “punën e palodhur të Machado-s në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjen e saj për të arritur një tranzicion paqësor dhe të drejtë nga diktatura në demokraci”.
Duke qëndruar pranë portretit të Machado-s, Frydnes i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë Maduro-s: “Duhet t’i pranoni rezultatet e zgjedhjeve dhe të largoheni … sepse kjo është vullneti i popullit venezuelian … Le të agojë një epokë e re”. Ceremonia e Nobelit përkon me një nga momentet më dramatike dhe të pasigurta në historinë e turbullt të Venezuelës. Që nga gushti, Donald Trump ka urdhëruar një vendosje masive të flotës detare në Detin e Karaibeve dhe një seri sulmesh vdekjeprurëse ndaj varkave të dyshuara të trafikut të drogës në brigjet veriore të Venezuelës.
Të martën, dy avionë luftarakë amerikanë fluturuan më pak se 80 km larg qytetit të dytë më të madh të Venezuelës, Maracaibo, në një demonstrim force. Ndërsa justifikimi zyrtar për këtë grumbullim ushtarak është “lufta kundër drogës” e Trump-it, shumica e analistëve dhe diplomatëve besojnë se qëllimi i tij themelor është rrëzimi i Maduro-s duke nxitur një kryengritje ushtarake. Trump u përpoq – por dështoi – ta rrëzonte Maduro-n gjatë mandatit të tij të parë me një fushatë “presioni maksimal” përmes sanksioneve dhe kërcënimeve ushtarake.
“Ditët e tij janë të numëruara”, i tha Trump gazetës Politico këtë javë – megjithëse aleatët e tij, përfshirë sekretarin aktual të shtetit Marco Rubio, bënë pohime pothuajse identike në përpjekjen e vitit 2019 për ta rrëzuar Maduro-n, dhe dështuan. Duke folur për Politico, Trump nuk e përjashtoi mundësinë e një pushtimi tokësor të Venezuelës, megjithëse duke marrë parasysh politikën e tij jo-intervencioniste, pak kush e pret që kjo të ndodhë.
Megjithatë, disa vëzhgues frikësohen nga gjakderdhja nëse Trump e intensifikon fushatën e tij ushtarake, ndoshta duke sulmuar objektiva tokësorë brenda Venezuelës. Celso Amorim, këshilltari kryesor për politikën e jashtme i presidentit të majtë brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, i tha Guardian-it se një sulm amerikan mund të krijonte një “zonë lufte” të ngjashme me Vietnamin.
Të tjerë kujtojnë kaosin e pushtimit të Irakut në 2003 nga SHBA dhe aleatët e saj për të përmbysur Saddam Husseinin, ose bombardimet e NATO-s në 2011 që ndihmuan në rrëzimin e Muammar Gaddafit. Montero hodhi poshtë krahasime të tilla. “Ata përpiqen ta krahasojnë me ndërhyrje të tjera të regjimeve në histori – por nuk është aspak si asgjë tjetër që kemi parë ndonjëherë”, tha pianistja.
“Ne kemi marshuar, kemi votuar, kemi protestuar [kundër Maduro-s] … Kemi bërë gjithçka për t’u çliruar nga ky kapitull i tmerrshëm i historisë sonë … dhe është shumë zhgënjyese kur hasim opinion publik që nuk e kupton se çfarë na ka ndodhur dhe me çfarë po përballemi”. Në ligjëratën e saj, Machado tha se Venezuela dikur ishte “demokracia më e qëndrueshme në Amerikën Latine”, por kishte rënë në shkatërrim ekonomik dhe sundim autoritar në vitet pas zgjedhjes së vitit 1998 të mentorit të Maduro-s, Hugo Chavez, ndërsa pasuria e vendit nga nafta u shpërdorua dhe u vodh.
“Që nga viti 1999, regjimi e çmontoi demokracinë tonë,” tha ajo. “[Kemi kaluar] pothuajse tre dekada … duke luftuar kundër një diktature brutale”. Vendimi i Institutit Norvegjez të Nobelit për të nderuar Machado-n nuk ka kaluar pa polemika. Ndërsa komiteti vlerësoi përpjekjet e saj të palodhura kundër “shtetit brutal dhe autoritar të Venezuelës”, kritikët vunë në dukje mbështetjen e mëparshme të Machado-s për ndërhyrje ushtarake për të rrëzuar diktatorin e vendit.
Të tjerë kritikuan mosdënimin e sulmeve vdekjeprurese të Trump në Karaibe apo trajtimin e tij për emigrantët venezuelian që janë deportuar në burgun famëkeq në El Salvador. Pasi çmimi i saj Nobel u deklarua në Tetor, Machado ia dedikoi atë Trumpit “për mbështetjen e tij të palëkundur për kauzën tonë” dhe e quajti Presidentin e SHBA “një nga aleatët tanë kryesorë për të arritur lirinë e demokracinë”. Dhjetëra protestues dolën në rrugët e Oslos në vigjilje të ceremonisë që do të deklaronte çmimin.
“Një çmim paqeje duhet tu jepet aktorëve që në mënyrë të vazhdueshme punojnë për paqen, dialogun dhe drejtësinë. Kur çmimi i jepet një politikani që mbështet ndërhyrjen militare dhe veprimet kundër ligjit ndërkombëtar, atëherë prishet qëllimi i vërtetë i çmimit Nobel për paqen” tha Gro Standnes, një aktivist anëtar i Këshillit Norvegjez të Paqes. m.p.
