Last Updated on 07/08/2025 by adminfjala
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim në ditët në vijim. Lajmi është konfirmuar nga një këshilltar i Kremlinit, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë po intensifikohen.
Ndihmësi i Putin, Yury Ushakov tha sot, më 7 gusht, se është e vështirë të përcaktohet se sa do të zgjasin përgatitjet, por si pikë referimi është dakordësuar që takimi të mbahet javën e kaluar. Po ashtu bëri me dije se edhe vendi i takimit është përcaktuar, por nuk ka zbuluar detaje.
“Sipas propozimit të palës amerikane, është arritur në parim një marrëveshje për të zhvilluar një takim dypalësh në nivelin më të lartë në ditët në vijim, pra një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump”, tha ai për mediat ruse.
Deklarata vjen pasi Trump tha më herët se kishte “një mundësi të mirë” për të zhvilluar një takim të drejtpërdrejtë me liderët e Rusisë dhe Ukrainës “shumë shpejt”, për të diskutuar një marrëveshje paqeje.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën në mbrëmje, Trump u pyet nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin kishin rënë dakord për një samit trepalësh. Ai u përgjigj se ekzistonte “një perspektivë shumë e mirë”, pa dhënë më shumë detaje.
Por në reagimin e Ushakov, duket se kjo ide është rrëzuar nga pala ruse.
“Propozojmë, para së gjithash, të fokusohemi në përgatitjen e një takimi dypalësh me Trump-in dhe e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishme që ky takim të jetë i suksesshëm dhe produktiv”, theksoi ndihmësi i Putin./kb
