Ajo që në fillim dukej si një dhimbje koke e fortë, rezultoi të ishte shenja e një hemorragjie cerebrale. Bledi Strakosha ka rrëfyer për herë të parë me detaje momentet e frikshme që përjetoi, nga nata kur gjithçka nisi deri te ditët e kaluara në spital.
I ftuar në emisionin “Rudina”, pasditen e djeshme të 14 shtatorit, Strakosha foli pa dorashka për gjithçka përjetoi, që nga simptomat e para, alarmi i familjarëve, diagnostikimi dhe ndërhyrja urgjente, deri te momentet e vështira në reanimacion.
Sot, ai e sheh atë që ndodhi si një kthesë të madhe në jetën e tij dhe e përshkruan situatën me një fjali të shkurtër, por shumë domethënëse:
“Tani e konsideroj një jetë të dytë.”
Gjithçka nisi më 29 gusht, rreth orës 23:30, kur Strakosha ishte vetëm në shtëpi. Ai tregoi se një lëvizje e zakonshme nga divani për të shkuar në kuzhinë u shoqërua papritur me një dhimbje koke që nuk e kishte përjetuar kurrë më parë.
“Ishte një moment shumë ters sepse ishte 29 gusht, pra fundi i gushtit dhe fundjavë, ku të gjithë kishin rendur për të bërë ato pushimet e fundit. Unë ndërkohë atë fundjavë nuk e di pse e ndjeva se duhej të qëndroja në shtëpi dhe të qetësohesha.
Rreth orës 11 e gjysmë të natës bëj një ngritje nga divani për të shkuar në kuzhinë për të gatuar diçka, por duke qenë se jam pak impulsiv si natyrë dhe, më thënë të drejtën, lëvizjet i kam më të shpejta seç duhet dhe, sa ngrihem nga divani, më fillon një dhimbje koke si therje, fillimisht në ballë, pastaj vazhdoi në të gjithë kokën deri në fund të qafës.”
Intensiteti i dhimbjes ishte aq i madh, sa Strakosha thotë se më vonë, kur ia përshkroi motrës së tij, e kishte të pamundur ta krahasonte me një dhimbje tjetër që kishte provuar më parë.
“Dhe se kisha provuar ndonjëherë atë lloj dhimbje ishte aq e fortë sa më vonë, kur ia përshkrova sime motre, i thashë: më vinte të vrisja veten vetëm që të shpëtoja nga ajo dhimbje koke, aq e tmerrshme ishte.”
Pas telefonatës me urgjencën, mjekët shkuan në shtëpinë e tij dhe kryen kontrollet e para. Në atë moment, megjithatë, situata nuk u identifikua si një problem që kërkonte menjëherë shtrimin në spital.
Të nesërmen, Strakosha vendosi të mos e neglizhonte më dhimbjen dhe shkoi vetë në urgjencë. Fillimisht iu kryen analizat e gjakut dhe më pas një skaner me kontrast, ekzaminim që zbuloi situatën e rëndë.
“Në fillim nuk iu vu një emër. Në telefon nga urgjenca më thanë se kishte rënë dhe një virozë që jepte dhimbje koke shumë të fortë, por unë ndihesha shumë okej dhe tensionin nuk e kisha dhe aq të lartë, 15 me 10. Shkova në urgjencë dhe më bënë analizën e gjakut fillimisht dhe më pas kemi bërë skaner me kontrast që ishte i domosdoshëm për këtë diagnostikim. Pasi më bëjnë skanerin, shoh portretet e tre djemve të rinj që ishin vrenjtur dhe pasi më thanë ‘mos lëviz fare’, erdhën, më morën me karrige. Ishte një venë e fryrë që dhe mbase kishte shpërthyer, nuk mi dhanë këto informacione.”
Pas konstatimit të hemorragjisë cerebrale, ai u përball me nevojën për një ndërhyrje urgjente. Në vend që operacioni të kryhej përmes një procedure të hapur, familja vendosi që ndërhyrja të bëhej në një spital privat, ku sipas tij mund të realizohej në mënyrë mikroinvazive.
“Ndërhyrja kirurgjikale me çarje të kokës bëhej në QSUT, por ime motër vendosi që ta bëjmë në spital privat sepse ndërhyrja do të kryhej mikroinvazive, është një teknologji e fundit që nuk krijon dhimbje dhe është shumë më e sigurt për të gjithë procesin. Kështu që u transportova në spital privat dhe aty është bërë ndërhyrja ditën e dielë në mbrëmje. Ndërhyrja është bërë në kokë, por përmes një sonde nga kofsha.”
Ndërhyrja dhe ditët e mëvonshme në spital patën edhe një kosto të konsiderueshme financiare. Strakosha shprehu mirënjohjen e tij të veçantë ndaj motrës, e cila mori përsipër jo vetëm shpenzimet e operacionit, por edhe kujdesin ndaj tij gjatë gjithë kësaj periudhe.
“Shumë e kushtueshme, fatkeqësisht shteti nuk e mundëson dhe shumë gabim, sepse në Kosovë mora vesh që shteti rimburson 80% të kostos së këtij operacioni dhe, meqë shteti nuk e ofron, duhet të jepej një mbështetje te privati me sa të mundej. Megjithatë, në këto raste kush po pyet për lekët dhe falënderoj time motër që mori përsipër çdo gjë, jo vetëm shpenzimet, por edhe u përkujdes në mënyrë të veçantë në çdo moment për gjithçka.”
Por ajo që e preku më shumë nuk ishte vetëm frika për jetën e tij. Gjatë rrëfimit, moderatori u përlot kur foli për prindërit dhe mendimin që i kishte kaluar në ato momente në kokë.
Në reanimacion, mes pasigurisë dhe dëshirës për t’i parë sërish njerëzit e tij të dashur, ai thotë se shqetësimi më i madh ishte mendimi për mamanë dhe babanë.
“Monologu i brendshëm ishte shumë… reanimacioni që s’e kisha përjetuar ndonjëherë, të them të drejtën, e bënte shumë të vështirë. Ëndërroja të shikoja edhe njëherë njerëzit e dashur dhe meraku i madh ishte mami dhe babi, se unë nuk dua të shoh asnjë prind që varros fëmijën e vet. U jam vërtet falënderues mjekëve, Zotit mbi të gjitha, që nuk ua dhashë këtë lëndim.”
Pas 12 ditësh në spital, moderatori thotë se sot e sheh çdo gjë me tjetër sy. Përvoja e fundit e ka bërë të kuptojë se një simptomë që mund të duket e zakonshme nuk duhet marrë kurrë lehtë.
“Ndihem me shumë fat dhe më vjen shumë keq për ata që nuk ia dalin dot sepse përqindja e personave që nuk ia dalin, sepse përqindja është shumë e vogël e atyre që ia dalin, por edhe personat që ia dalin kanë pasoja të mëvonshme dhe kjo është një fatkeqësi edhe më e madhe. Brenda ditës të ndryshon jeta plotësisht.”
Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse ai vendosi ta bëjë publik rrëfimin. Strakosha dëshiron që historia e tij të shërbejë si një paralajmërim për këdo që zgjedh të injorojë një simptomë të pazakontë, duke menduar se do të kalojë vetë.
“Është gjithmonë ideja se do të të kalojë duke pirë një paracetamol, por asnjëherë nuk i marrim seriozisht disa simptoma që na shfaqen, që janë të pazakonta. I neglizhojmë, pasi kemi dhe frikë ndonjëherë dhe kjo mund të na çojë drejt humbjes së jetës. Edhe unë kam shkuar i nxitur prej sime motre.”
Pas kësaj përvoje, moderatori thotë se do të përpiqet të ndryshojë edhe mënyrën e jetesës. Një prej vendimeve të tij është të heqë dorë nga duhani, edhe pse e pranon se nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi konsumon cigare që prej moshës 18-vjeçare./MXH
