Last Updated on 28/10/2026 by EL
Mounir Nasraoui dyshohet se ofendoi dhe pështyu një punonjëse në aeroportin e Barcelonës, ndërsa situata u tensionua aq shumë sa ndërhyri edhe Guardia Civil. Ngjarja ndodhi para udhëtimit për në Londër, ku Lamine Yamal u rendit i treti në garën për “Topin e Artë”.
Debati dyshohet se degjeneroi në fyerje dhe përfundoi me një veprim të rëndë nga ana e Nasraouit, i cili thuhet se e pështyu punonjësen në fytyrë. Situata doli jashtë kontrollit dhe kërkoi ndërhyrjen e efektivëve të Guardia Civil, si dhe të personave të pranishëm, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Sipas raportimeve, babai i futbollistit tentoi të hidhte një karrige drejt personave që po përpiqeshin ta qetësonin, duke rrezikuar që përplasja të shndërrohej në një sherr edhe më të rëndë. Ky nuk është rasti i parë kur Nasraoui përfundon në qendër të vëmendjes së mediave për ngjarje jashtë fushës së futbollit. Në gusht të vitit 2024, ai u plagos me thikë në Mataró të Spanjës, ndërsa në maj të vitit 2023 ishte dënuar për një sulm ndaj një stende elektorale. Episodi i raportuar në aeroport rikthen vëmendjen te babai i një prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror, në një periudhë kur Lamine Yamal vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për arritjet e tij sportive./ET
