Pep Guardiola është shfaqur si një kandidat befasues për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, edhe pse deri më tani Antonio Conte dhe Roberto Mancini konsideroheshin favoritët kryesorë për këtë post.
Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, e ardhmja e stolit të Italisë tashmë është në duart e drejtorëve të rinj teknikë, Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët pritet të marrin vendimin për trajnerin e ardhshëm të “Azzurrëve”.
Megjithatë, raporti thekson se as Conte dhe as Mancini nuk janë në krye të listës së dëshirave të dy drejtuesve.
Në vend të tyre, emri i Guardiolës po fiton gjithnjë e më shumë terren. Ajo që në fillim dukej si një ide e pamundur, tashmë po shihet si një mundësi reale, falë rrjetit të gjerë ndërkombëtar të Leonardos dhe aftësisë së tij për të bindur trajnerë të nivelit më të lartë.
Edhe pse kontrata e fundit e Guardiolës me Manchester Cityn i siguronte rreth 25 milionë euro bruto në sezon, trajneri katalanas thuhet se gjithmonë i ka dhënë përparësi projekteve sportive mbi aspektin financiar.
Drejtimi i Kombëtares së Italisë dhe udhëheqja e rindërtimit të një prej kombëtareve më të mëdha në botë mund të jetë një sfidë joshëse për të.
Ndërkohë, Andrea Pirlo dhe Stefano Pioli mbeten alternativa të tjera, por për momentin konsiderohen si opsione dytësore nga Federata Italiane e Futbollit./et

