Last Updated on 30/04/2026 by EL
Një situatë e pakuptimtë dhe fyese është denoncuar publikisht nga gazetari Bledi Mane, ku viktimë e burokracisë dhe kaosit të transportit publik në Tiranë ka rënë edhe piktori i njohur, Qamil Prizreni.
Në moshën 88-vjeçare, “Mjeshtri i Madh” i artit pamor është detyruar të presë për tre ditë me radhë në sportelet e shitjes së aboneve, vetëm 100 metra larg godinës së Bashkisë së Tiranës. Ky kaos, që përsëritet çdo fundmuaji, ka ngritur një valë irritimi mbi mënyrën se si trajtohen qytetarët e vendit.
“Ja ku është i nderuari Qamil Prizreni, mjeshtri i madh i artit tonë pamor, 100 metra larg godinës së bashkisë së Tiranës ku çdo fundmuaji gjullurdia dhe kaosi janë skena të përsëritura.
Oooo Bashki, shitini abonetë kudo në çdo pikë ku paguhen dritat, uji, gjobat. Shitini kudo në çdo zyrë të Postës Shqiptare, shitini edhe online siç shisni e siç blini brekët tuaja o zyrtarë kaotikë!” shkruan Mane në reagimin e tij, teksa ka postuar edhe disa foto.
Gazetari Mane i është drejtuar drejtpërdrejt zyrtarëve të lartë, përfshirë Ogerta Manastirliun dhe Erion Braçen, duke kërkuar që ky problem të marrë fund. Propozimi është i qartë: digitalizimi i procesit. Në një kohë kur flitet për shërbime online, është e papranueshme që të moshuarit të dergjen rrugëve për një copë karton udhëtimi.
Pse nuk shiten abonetë në çdo pikë të Postës Shqiptare apo në platformat online? Kjo mbetet pyetja që Bashkia e Tiranës ende nuk i ka dhënë përgjigje, ndërsa skenat si kjo e piktorit Prizreni turpërojnë menaxhimin e kryeqytetit./et

