Ka një moment shumë specifik kur je i rritur, kur kap veten duke thënë: “fik dritën se nuk e kemi lidhur me shtyllën” dhe ndalon për dy sekonda sepse…o Zot, je bërë si mami yt.
Dikur mendonim se ato fraza ishin thjesht një mënyrë për të na prishur qejfin, por sot kuptojmë që ishin paralajmërime. Shumica ishin tepër të sakta.
“Nuk i presim me gërshërë paratë ,” ishte drama më e madhe që mund të dëgjoje si fëmijë, por sot hapim aplikacionin e bankës dy herë në ditë a thua se do shtohen si me magji.
“Do ta kuptosh kur të rritesh” ishte ndoshta fraza më irrituese në histori. Mirëpo sot e kuptojmë, sidomos pjesën me lodhjen, qetësinë dhe faktin që sa acaruese është që t’i kesh lënë dikujt një detyrë (khëm të nxjerrë mishin nga frigoriferi khëm) dhe të mos e ketë bërë, ndërkohë që ti vjen e rraskapitur nga puna dhe të thotë si pa të keq: “harrova”.
E urrenim kur na i thoshte, por mamatë kishin të drejtë për
“Nëse shokët e tu hidhen nga ura, do hidhesh edhe ti?” dikur dukej argumenti më pa lidhje. Sot shikon njerëz që futen në investime katastrofike, drama apo trende absurde vetëm sepse “po e bëjnë të gjithë” dhe mendon: kishte të drejtë.
“Ha perimet” ishte mallkim për ne, të njëjtët njerëz që sot kërkojmë në Google “ushqime anti-inflamatore” dhe hamë gjëra jeshile me vullnet të lirë.
“Hotel të duket këtu?” dikur dukej si ekzagjerimi prindëror. Tani je ti ai/ajo që lan enët, pastron, gatuan dhe pyet veten si është e mundur që askush tjetër nuk e sheh koshin plot.
“Sepse kështu them unë” ishte diktaturë kur ishe i vogël. Sot… sinqerisht? Tingëllon kaq efikase ndonjëherë kur nuk ke energji për debat dhe argumente që nuk përfundojnë kurrë.
“Vishu, se do ftohesh.” Dhe ftohesh. Çdo. Herë.
“Kështu e ka jeta” mbetet ndoshta fraza më brutale që na është thënë ndonjëherë në fëmijëri. Edhe më brutalja? Që rezultoi komplet e vërtetë.
“Do më falënderosh më vonë” ishte premtimi më irritues në botë. Dhe megjithatë, ato kishin të drejtë pothuajse çdo herë. Rregullat, rutinat, kufijtë, gjërat që sot i quajmë “healthy habits”, në fakt t’i nguliti mami pa të pyetur fare. Madje edhe gjërat më të vogla. Të lash dhëmbët. Të mos bësh tatuazh njësoj me dikë që e njeh prej 3 javësh. Të flesh herët. Të mos i kthesh mesazhet kur je shumë nervoz/e. Qartazi, ajo po të shpëtonte që të mos turpëroheshe në të ardhmen.
Sigurisht, nuk kishim si të mos harronim dy frazat më të paharrueshme: “Do ta kuptosh kur të kesh fëmijë vetë” ose “Shpresoj të kesh edhe ti një fëmijë si vetja jote.” A mund ta pranojmë që këto fjali ishin “mallkime”, që efektin e dhanë më vonë.
Por, ndoshta fjalia që godet më shumë kur rritesh është ajo që nuk e merrje seriozisht fare dikur: “Do më kujtosh kur të mos jem.” Sepse, çdo këshillë bezdisëse, çdo “mos bëj kështu”, çdo “se kështu them unë”, ishte mënyra e mamave për të dashur.
E urrenim kur na i thoshte, por mamatë kishin të drejtë për
Vite më vonë, kupton që shumica e gjërave të zgjuara që ato na thonin nuk erdhën nga libra prindërimi apo video TikTok-u. Erdhën nga jeta. Mami, për fat të keq, kishte të drejtë. Për pothuajse gjithçka./mxh
