Drejtoria e Përgjithshme e Doganave synon të përmirësojë infrastrukturën e IT përmes një procedure të hapur këtë të enjte në sistemin e prokurimeve. Tenderi me fond limit prej 387 milionë lekësh, ose rreth 3.9 milionë euro, për përmirësimin e infrastrukturës hardware të sistemeve doganore dhe rrjeteve fizike, synon modernizimin e platformave kritike të administratës doganore.
Pavarësisht se procedura po zhvillohet nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara termat e referencës duket se mbajnë në krye Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas dokumenteve të tenderit, investimi parashikon zëvendësimin e serverëve, sistemeve të ruajtjes së të dhënave dhe pajisjeve të rrjetit që janë amortizuar ose kanë dalë jashtë mbështetjes së prodhuesve.
Projekti prek sistemet kryesore të Doganave, përfshirë Asycuda World, LIMS, SEED, AlphaWeb dhe platforma të tjera që përdoren për operacionet doganore dhe tarifore.
Një nga komponentët kryesorë është ngritja e një infrastrukture të re me dy site, një primar dhe një sekondar, për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit dhe rikuperimin në rast incidentesh. Pajisjet ekzistuese që mbeten funksionale do të përdoren për ambiente testimi dhe pre-produksioni.
Paketa e prokurimit përfshin 16 serverë për virtualizim, dy sisteme storage, katër SAN sëitch-e, pajisje backup, software virtualizimi dhe backup-i, katër fireëall qendrorë, 10 fireëall për degët doganore, katër sëitch-e qendrore, platformë për analizimin e log-eve dhe katër pajisje load balancer.
Tenderi parashikon gjithashtu forcimin e sigurisë kibernetike dhe përmirësimin e komunikimit mes qendrës dhe degëve doganore, përmes arkitekturës SD-WAN, firewall-eve të avancuara dhe monitorimit të centralizuar të ngjarjeve të sigurisë.
Investimi lidhet edhe me nevojën për të mbështetur sisteme të reja si NCTS dhe NSW, të cilat pritet të rrisin volumin e të dhënave dhe kërkesat për kapacitete procesuese në sistemet doganore. Kontrata parashikon 12 muaj për zbatimin e projektit dhe 24 muaj mirëmbajtje pas implementimit.
Sipas dokumentacionit teknik, objektivi është ndërtimi i një infrastrukture me disponueshmëri të lartë, pa pika të vetme dështimi, me kapacitete më të mëdha ruajtjeje dhe përpunimi të të dhënave, si dhe me standarde më të larta të sigurisë së informacionit./monitor-a.d
