Përdorimi i cigareve elektronike nuk është më i sigurt se duhani tradicional kur bëhet fjalë për shëndetin e të rinjve. Një studim i ri tregon se personat nën moshën 30 vjeç që përdorin e-cig kanë kapacitet më të ulët fizik, funksion më të dobët të mushkërive dhe lodhen më shpejt gjatë aktivitetit fizik, njësoj si duhanpirësit.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore ERJ Open Research, zbulon se të rinjtë që avullojnë cigare elektronike kanë rreth 15% performancë fizike më të ulët krahasuar me bashkëmoshatarët që nuk pinë duhan dhe nuk përdorin e-cig.
Studiuesit e Manchester Metropolitan University analizuan 75 të rinj të moshës 18-30 vjeç, të ndarë në tre grupe: persona që nuk kishin pirë kurrë duhan apo përdorur e-cig, duhanpirës tradicionalë dhe përdorues të cigareve elektronike prej rreth tre vitesh.
Në fillim të studimit, të gjithë kishin funksion normal të mushkërive në gjendje pushimi dhe stile jetese të ngjashme, përfshirë aktivitetin fizik, konsumin e alkoolit dhe kafeinës.
Pjesëmarrësit kryen një test me biçikletë stërvitore me intensitet në rritje, gjatë të cilit u monitoruan rrahjet e zemrës, frymëmarrja dhe niveli i acidit laktik në gjak, një tregues që rritet kur muskujt nuk marrin oksigjen të mjaftueshëm. Rezultatet treguan se si te duhanpirësit, ashtu edhe te përdoruesit e cigareve elektronike, mushkëritë kishin aftësi më të kufizuar për të eliminuar dioksidin e karbonit. Gjithashtu, acidi laktik grumbullohej më shpejt në muskuj, duke bërë që lodhja dhe frymëmarrja e rënduar të shfaqeshin shumë më herët gjatë ushtrimeve.
Ekografitë dhe analizat e gjakut zbuluan gjithashtu shenja inflamacioni dhe dëmtime të enëve të gjakut, si te duhanpirësit ashtu edhe te ata që përdorin e-cig. Në të dy grupet, forma fizike rezultoi rreth 15% më e ulët krahasuar me të rinjtë që nuk përdornin as cigare tradicionale dhe as elektronike.
Sipas autorëve të studimit, këto rezultate tregojnë se cigaret elektronike nuk janë një alternativë e padëmshme ndaj duhanit. Përkundrazi, ato mund të ndikojnë negativisht në shëndetin kardiovaskular dhe në aftësinë fizike, edhe te persona shumë të rinj që nuk kanë pirë kurrë cigare tradicionale.
Studiuesit theksojnë se rreth 22% e të rinjve evropianë përdorin cigare elektronike dhe vlerësojnë masat që ndalojnë shitjen e produkteve me nikotinë, përfshirë e-cig, për personat nën 18 vjeç, si vendimi i fundit i marrë në Mbretërinë e Bashkuar./ad
