Last Updated on 28/07/2025 by adminfjala
Anna Aslanyan
“Nuk digjen dorëshkrimet,” – i thuhet protagonistit të romanit Mjeshtri dhe Margarita të Mikhail Bulgakovit. Këtë sentencë e shqipton vetë Djalli, duke iu referuar veprës së shkatërruar të Mjeshtrit. Pasi e rikthen, ai ndëshkon njeriun që kishte lajmëruar policinë për “literaturën e ndaluar” në banesën e Mjeshtrit – për t’u vendosur vetë atje. Bulgakovi nuk e shpiku këtë nga hiçi: i rrethuar nga spiunë dhe denoncues, ai mbijetoi gjatë Terrorit të Madh të viteve ’30 – po ashtu edhe librat e tij. Mjeshtri dhe Margarita, mbi të cilin punoi deri në vdekjen e tij më 1940, u botua i pakensuruar në BRSS vetëm në vitin 1973.
Në fillim të viteve ’90, censura u hoq zyrtarisht në Rusi. Për një kohë, mund të botohej pothuajse gjithçka. Por sot, letërsia është sërish në shënjestër të represionit. Situata u përkeqësua veçanërisht pas vitit 2022 – kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe kriminalizoi “propagandën LGBT” edhe mes të rriturve. Një vit më vonë, një tjetër ligj e shpalli “Lëvizjen Ndërkombëtare Publike LGBT” si organizatë ekstremiste. Këto ligje tani po përdoren për të goditur industrinë e librit në Rusi.
Një listë e zezë, ndalime dhe burg për libra
Në fillim të këtij viti, policia ruse, me një listë prej 48 titujsh në dorë, bastisi disa librari dhe urdhëroi heqjen nga raftet të librave përkatës. U hapën procedura administrative dhe u vendosën gjoba. Në maj, 10 persona të lidhur me Eksmo, shtëpia botuese më e madhe në vend, u arrestuan në Moskë. Tre prej tyre – Pavel Ivanov, Dmitry Protopopov dhe Artyom Vakhlyaev – u akuzuan për “organizimin e aktivitetit të një organizate ekstremiste”, domethënë për shpërndarjen e librave me tematikë LGBTQ+. Ata ndodhen në arrest shtëpie dhe përballen me deri në 12 vjet burg.
Një nga librat që përdoret si provë është Pionieri i verës (Pioneer Summer), një roman i suksesshëm për adoleshentë nga Elena Malisova dhe Katerina Sylvanova, botuar më 2021 nga Popcorn Books (një imprint me bazë në Moskë që tani është pjesërisht në pronësi të Eksmo). Edhe pse historia përshkruan një lidhje dashurie mes dy djemve që nuk shkon përtej puthjeve, libri është përballur me sulme nga politikanë rusë. Suksesi i tij i jashtëzakonshëm u bë një nga motivet për shtrëngimin e kontrollit. Ndër librat e ndaluar janë edhe përkthime në rusisht të Against Interpretation nga Susan Sontag dhe Everybody nga Olivia Laing – vepra që trajtojnë temën e homoseksualitetit, por pa përmbajtje ekstremiste.
Temat tabu shumëfishohen
Por nuk ndalemi vetëm te temat LGBTQ+. Sipas Felix Sandalov, drejtor i projektit ndërkombëtar StraightForward, që promovon letërsi të pakensuruar mbi Rusinë, ka edhe të tjera tabura: krahasimet mes stalinizmit dhe nazizmit, kritikat ndaj Kishës Ortodokse Ruse dhe, natyrisht, çdo qasje që nuk është mjaftueshëm patriotike ndaj luftës në Ukrainë.
Ndalesat shtohen dita-ditës. Një projekt-ligj parashikon të kriminalizojë propagandën pro jetës pa fëmijë. Një tjetër synon të godasë atë që ligjvënësit rusë e quajnë “levizje ndërkombëtare sataniste”. Nëse ndodh kjo e fundit, romani i Bulgakovit mund të zhduket sërish nga raftet.
Një industri e frikësuar që vetëcensurohet
Pasojat janë të ndjeshme: industria e librit në Rusi është në kaos. Të gjithë kanë frikë, më thonë disa punonjës të shtëpive botuese, që kërkuan të mbeten anonimë. Autoritetet qëllimisht nuk e bëjnë të qartë çfarë lejohet dhe çfarë jo – një taktikë e frikësimit shumë e efektshme.
Gjithsesi, disa botues përpiqen të gjejnë rrugëdalje. Sandalov, ish-drejtor editorial i Individuum (një imprint tjetër i lidhur me Eksmo), kujton se disa autorë të tyre u shpallën “agjentë të huaj” pas zbatimit të një ligji shtypës më 2021. “Fillimisht na lejohej t’i botonim, por me etiketime specifike”, thotë ai. Si kundërveprim, përdorën truke kreative: etiketa “i prodhuar nga një agjent i huaj” u zbe, në mënyrë që të mos binte në sy. Një tjetër zgjedhje simbolike ishte kopertina e The Face of War nga Martha Gellhorn, e dizajnuar në mënyrë që të kujtonte shkronjën Z – simbolin e agresionit ushtarak rus – duke e shndërruar në një mesazh anti-luftë.
Por frika nga ndjekja penale po i detyron botuesit të braktisin temat “problematike”. Një botuese e quajtur Viktoria, që ende ka lidhje me tregun rus të librit, thotë se botuesit e pavarur po orientohen drejt fushave të padëmshme, si kultura aziatike apo historia e artit. Sipas saj, kjo është një formë “opozite ideologjike dhe mbijetese në këtë makth totalitar”.
Disa botues hartojnë lista të brendshme librash që duhen hequr nga qarkullimi, një vetëcensurë që i shkon për shtat policisë dhe autoriteteve të zëna. “Në vitet 2010”, thotë Viktoria, “mendohej gjerësisht se autoritetet nuk lexojnë”. Nëse kjo ka ndryshuar, mbetet e paqartë. Përndryshe, ndalimi i librit Feminist City nga Leslie Kern – një studim për urbanizmin – mund të shpjegohet vetëm me paranojën që fjala ‘feminizëm’ lidhet automatikisht me LGBTQ+. Po kështu, ndalimi i The Book of Disquiet nga Fernando Pessoa dhe One-Way Street nga Walter Benjamin tregon se ata që vendosin listat nuk i kuptojnë këto vepra fare.
Nga Bulgakovi te lufta në Ukrainë – historia përsëritet si farsë
Nuk është vetëm shteti që kufizon lirinë e shprehjes. Edhe lexues të zakonshëm bëjnë pjesën e tyre në emër të “ligjit dhe rendit”. Policia njoftohet shpesh nga qytetarë të zakonshëm që publikojnë në rrjetet sociale pasazhe “të rrezikshme”. Në një vend ku mekanizmat demokratikë kanë pushuar së ekzistuari, spiunimi është bërë forma e vetme e pjesëmarrjes publike. Kudo ku shoqëritë ndihen të ç’angazhuara politikisht – qoftë në Rusi, në Britani apo gjetkë – rrezikohet rrëshqitja drejt të njëjtit çmenduri.
Censura gjithnjë mbështetet në vetëcensurë, qoftë në Rusi, qoftë në Perëndim, ku, për shembull, artistëve që protestojnë ndaj gjenocidit të Izraelit në Gaza u anulohen shfaqjet. Të shprehësh mendimin në vende totalitare sjell pasoja shumë më të rënda se në demokraci, por diferenca po zvogëlohet. Sido të jetë bilanci i të drejtave në vendin ku jeton, liria e shprehjes nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë.
Ndryshe nga dorëshkrimet që “nuk digjen” te Bulgakovi, librat në jetën reale mund të zhduken përgjithmonë. Ndërsa fushata represive vazhdon, vetëcensura parandaluese në Rusi po bëhet normë. Muajin e kaluar, Eksmo organizoi një ekspozitë në selinë e Komitetit Hetimor të Federatës Ruse – agjencia që ngriti aktakuzën ndaj punonjësve të saj – për të nderuar “heronj të së shkuarës dhe të sotmes”, nga policët sekretë sovjetikë deri te pjesëmarrësit në ndërtimin e “legjendës së madhe”, siç e quan një nga librat ekspozuar luftën në Ukrainë. Me mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes, libri përmend emrin e Stalinit që në faqen e parë. Në faqen e shtatë ka një gabim trashanik: autori ka ngatërruar muajin e fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022. Hagiografët e kësaj lufte janë po aq të paaftë sa edhe ata që e bëjnë atë.
*Anna Aslanyan është gazetare dhe përkthyese/ Burimi: The Guardian/ Përgatiti: L.Veizi