Deputeti socialist Eduard Shalsi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku ka folur për protestën dhe përgjigjen e mazhorancës ndaj saj,
I pyetur nga Ylli Rakipi se përse e kërkojnë dialogun tani, pas dhunës dhe shkatërrimeve, Shalsi tha se protesta e flamingove fillimisht e “shkundi” qeverinë, por tashmë protesta është ndotur nga dhuna.
Rakipi: Kryeministri kërkon dialog. Pas 150 ditë protestë, rrahjeve masive, shkatërrime, kërkohet dialog. Për çfarë vallë? Pse duhet të dialogohet tani?
Shalsi: Fakti që përfaqësoj mazhorancën, nuk më pengon të them se pakënaqësitë duhen kuptuar, analizuar dhe qeveria ka përgjegjësinë që të përgjigjet. Jam për protestat paqësore, edhe pse vetë kam qenë edhe në protesta të ashpra në opozitë. E kam nisur jetën politike në opozitë.
Rakipi: Përse doni të dialogoni?
Shalsi: Protesta nisi në qershor. Ishte protestë me një pjesëmarrje masive, u gjenda rastësisht te kulla binjake dhe pashë përballë meje njerëz të njohur, të panjohur, kushërinj, shokë e shoqe. Filloi me pjesëmarrje masive dhe paqësore. Ngjarja makabre e Vlorës që e ngacmoi, që e dënuam… Njerëzit protestojnë për pakënaqësitë. Protesta nuk është problemi. Problemi është kur institucionet janë indiferente ndaj shqetësimeve. A duhet ta lexojmë thellë dhe ta kuptojmë mirë për çfarë kanë dalë këta njerëz?
Rakipi: Mos është pak vonë Shalsi? Pas katër muajsh?
Shalsi: Po e nis nga fillimi dhe si u deformua. Një shkundje të madhe mazhorancës na e dha. Pra njerëzit dolën në rrugë. Kur protestohet duhet të dëgjohet. Ka dy mundësi, një të provosh që kërkesat ja merr seriozisht, një tjetër që bën sikur dëgjon. Natyrisht kjo protestë e gjatë, në tkurrje nga masiviteti dhe aktet e dhunshme e kanë ndotur, e kanë bërë pis dhe sabotuar protestën, janë në rrymë të kundërt me qëllimet pozitive të protestuesve paqësor. Protesta nisi dhe doli me dorëheqjen e Edi Ramës. Ata janë në të drejtën ta kërkojnë dhe ne jemi në të drejtën tonë të themi jo, nuk e pranojmë. Ne kemi dhënë shembuj. Jemi të etur.
Rakipi: Të etur jeni ju, por jo për këtë gjë. Etja juaj është e tmerrshme.
Shalsi: Edhe për të parë se çfarë mund të përmirësojmë. E mban mend 2018? Kemi edhe 2014, mbetjet kimike, protestë masive paqësore, qeveria u tërhoq. 2018 studentët hezitonin, dolën pastaj me pikat, në finale negociohet, diskutohet. Po dëgjoja një student, dhe tha kam të gjithë kushtet, por tha kam dalë për komshiun tim që ka prindërit invalidë dhe ku do ti gjej paratë për universitetin? E dëgjova, e mbajta shënim. Pastaj tha, nuk mjafton kjo, po ai që është invalid? U interesova, pashë, mora listën e atyre që nuk paguanin tarifa shtetërore, se i kishte përjashtuar një VKM…
Rakipi: Raste si këto, ku mund të dëgjosh edhe ndonjë budallallëk ka plotë. Por ti përshkrove situatë të njerëzve që nuk kanë bukë, nuk paguajnë qiranë, që nuk e blejnë dot shtëpinë në Tiranë se ka vajtur çmimi në stratosferë. /k.m
