Punonjësit japonezë të njohur për përkushtimin e tyre, por të mbingarkuar në trajtimin e bagazheve, së shpejti do të kenë kolegë shtesë në aeroportin Haneda të Tokios, megjithëse këta kolegë të rinj do të kenë nevojë për pushime të rregullta për rimbushje.
Japan Airlines do të prezantojë robotë humanoidë në bazë prove duke filluar nga fillimi i majit, me synimin për t’i përdorur ata në mënyrë të përhershme si një zgjidhje për mungesën kronike të fuqisë punëtore në vend.
Robotët humanoidë të prodhuar në Kinë do të transportojnë bagazhet dhe ngarkesat e udhëtarëve në pistën e aeroportit Haneda, i cili përpunon më shumë se 60 milionë pasagjerë në vit.
JAL dhe partneri i saj në këtë nismë, Japan Airlines GMO Internet Group, shpresojnë që eksperimenti, i cili përfundon në vitin 2028, të lehtësojë barrën mbi punonjësit njerëz, në një kohë kur turizmi hyrës është në rritje dhe parashikohet mungesë edhe më e madhe e fuqisë punëtore.
Në një demonstrim për mediat këtë javë, një robot 130 cm i gjatë, i prodhuar nga kompania Unitree me bazë në Hangzhou, u pa duke “shtyrë” me kujdes ngarkesat në një rrip transportues pranë një avioni pasagjerësh të JAL dhe duke i bërë me dorë një kolegu të padukshëm.
Presidenti i JAL Ground Service, Yoshiteru Suzuki, tha se përdorimi i robotëve për të kryer punë fizikisht të vështira do të “redukojë në mënyrë të pashmangshme barrën mbi punëtorët dhe do të sjellë përfitime të konsiderueshme për punonjësit”, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo.
Megjithatë, Suzuki shtoi se disa detyra kyçe si menaxhimi i sigurisë, do të vazhdojnë të kryhen nga njerëzit.
Japonia po përballet me një rritje të njëkohshme të turistëve nga jashtë dhe me një popullsi në plakje e në rënie. Më shumë se 7 milionë njerëz vizituan vendin në dy muajt e parë të vitit 2026, sipas Organizatës Kombëtare të Turizmit të Japonisë, pas një rekordi prej 42.7 milionë vizitorësh vitin e kaluar, pavarësisht rënies së numrit të turistëve nga Kina për shkak të një përplasjeje diplomatike mes Tokios dhe Pekinit.
Sipas një vlerësimi, Japonia do të ketë nevojë për më shumë se 6.5 milionë punëtorë të huaj deri në vitin 2040 për të arritur objektivat e saj të rritjes, ndërsa fuqia punëtore vendase vazhdon të tkurret. Popullsia e huaj në vend është rritur ndjeshëm vitet e fundit, por qeveria tani po përballet me presion politik për të kufizuar emigracionin.
Presidenti i GMO AI dhe Robotics, Tomohiro Uchida, tha: “Ndërsa aeroportet duken shumë të automatizuara dhe të standardizuara, operacionet e tyre në prapaskenë ende varen shumë nga puna njerëzore dhe përballen me mungesa serioze të fuqisë punëtore.”
Robotët mund të punojnë vazhdimisht për dy deri në tre orë dhe kompanitë planifikojnë t’i përdorin ata edhe për detyra të tjera, si pastrimi i kabinave të avionëve./mxh
