Last Updated on 04/11/2026 by Anisa
“Asnjë institucion nuk mund ta luftojë i vetëm korrupsionin dhe pastrimin e parave”, tha sot ambasadori Michel Tarran, në hapje të një seminari kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Ai theksoi angazhimin e Prezencës së OSBE-së për të afruar institucionet, për t’i mbështetur ato me ekspertizë dhe asistencë teknike dhe për të nxitur shkëmbimin e përvojave me vende të tjera.
Në seminar morën pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe ekspertë nga Kroacia dhe Greqia.
Duke sjell shembuj nga raste konkrete, Ana Trstenjak, zëvendësdrejtore e Zyrës së Kroacisë për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Michail Throuvalas, major në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar të Policisë Greke, ndanë përvojën e tyre në hetime dhe mësimet e nxjerra.
Për të luftuar korrupsionin dhe krimin financiar, institucionet duhet të bashkëpunojnë në çdo hap: nga identifikimi i transaksioneve të dyshimta deri te gjurmimi dhe konfiskimi i pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme.
Seminari u dha institucioneve shqiptare mundësinë të shkëmbejnë përvojë, të forcojnë bashkëpunimin dhe të njihen me praktikat që kanë dhënë rezultate në vende të tjera, për të luftuar më mirë krimin financiar dhe për të mbrojtur paratë publike./ad
