Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem më të fortë parandalues për sigurinë nga zjarri, duke nisur nga përshtatja e kodeve të ndërtimit me profilin e rrezikut në vend, forcimi i inspektimeve dhe edukimi i profesionistëve.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Joshua Reichert, Chief Engineer i SFPE Global (Shoqata Globale e Inxhinierëve të Mbrojtjes nga Zjarri), gjatë konferencës dyditore “Tirana Fire Safety 2026”, që po zhvillohet nën kujdesin e SFPE Albania dhe presidentit të saj, Nikolin Risilia. Konferenca ka sjellë së bashku ekspertë ndërkombëtarë të inxhinierisë së sigurisë nga zjarri për të prezantuar praktikat e vendeve të zhvilluara dhe mënyrat se si ato mund të përshtaten në Shqipëri.
Në pjesën e prezantimit të lidhur drejtpërdrejt me Shqipërinë, Reichert paraqiti një model me gjashtë hapa, hartimin ose përshtatjen e një kodi sipas profilit të rrezikut dhe stokut të ndërtesave në vend, kthimin e tij në një kërkesë ligjore të detyrueshme, financimin dhe forcimin e kapaciteteve të inspektimit dhe lejeve, edukimin e inxhinierëve, arkitektëve, inspektorëve dhe autoriteteve; bashkëpunimin mes disiplinave dhe përditësimin e vazhdueshëm të kodit sipas materialeve, teknologjive dhe përvojave të reja.
Sipas prezantimit, elementet kryesore të sigurisë, si daljet alternative të emergjencës, rezistenca pasive ndaj zjarrit dhe ndarja e ndërtesës në sektorë, duhet të parashikohen që në projektim dhe jo të shtohen më vonë, pas inspektimeve apo incidenteve.
Reichert solli në vëmendje edhe tragjedi historike që kanë ndikuar në mënyrën se si hartohen dhe zbatohen kodet e sigurisë. Mes tyre ishte zjarri i vitit 1903 në Iroquois Theatre në Chicago, ku disa dalje ishin të mbyllura dhe mungonin sinjalistika dhe alarmet, si dhe zjarri në Cocoanut Grove në Boston në vitin 1942, ku humbën jetën 492 persona. Në këtë të fundit, rregullat ekzistonin, por nuk ishin zbatuar.
Mesazhi i këtyre rasteve, sipas prezantimit, ishte se vetëm ekzistenca e një kodi nuk është e mjaftueshme nëse ai nuk zbatohet dhe kontrollohet.
Në konferencë, Björn Karlsson, profesor emeritus i University of Iceland, evidentoi se shumë vende të zhvilluara po kalojnë drejt kodeve të ndërtimit të bazuara në performancë. Në vend që rregullorja të përcaktojë vetëm materialin apo zgjidhjen që duhet përdorur, ajo përcakton nivelin e sigurisë që ndërtesa duhet të arrijë dhe projektuesit duhet të provojnë se zgjidhja e zgjedhur e përmbush atë.
Zhvillimi i shkencës së zjarrit ka bërë të mundur edhe përdorimin e simulimeve për përhapjen e zjarrit dhe tymit, si dhe për lëvizjen e njerëzve gjatë evakuimit. Sipas Karlsson, kalimi drejt sistemeve më fleksibël kërkon njëkohësisht kontroll më të fortë, zbatim të njëtrajtshëm të rregullave dhe garantimin e kualifikimit të projektuesve.
Luciano Nigro, zv. president i SFPE në Itali, theksoi se sistemet moderne të sigurisë nga zjarri duhet t’u japin projektuesve mundësinë të përdorin standarde teknike, teknologji inovative dhe metoda të avancuara inxhinierike. Mbrojtja nga zjarri, sipas kësaj qasjeje, duhet të funksionojë si një sistem i integruar, ku rezistenca e strukturës, rrugët e evakuimit, alarmet, menaxhimi i tymit, sistemet e shuarjes dhe ndërhyrja e zjarrfikësve plotësojnë njëra-tjetrën./monitor-ad
