Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të lehtësuar disa sanksione ndaj naftës së Rusisë mund t’i sjellë Moskës përfitime të mëdha financiare.
Paralajmërimin e japin ekspertët, ndërsa liderët botërorë si Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron kanë theksuar se një hap i tillë “nuk ndihmon paqen”.
Duke folur për BBC-në, ekspertët paralajmërojnë se Moska mund të përfitojë ndjeshëm nga kjo situatë.
Sipas Benjamin Hilgenstock-ut, drejtues i kërkimit makroekonomik dhe strategjisë në Shkollën Ekonomike të Kievit, ky vendim përbën “një shpëtim serioz” për regjimin e Vladimir Putin.
Ai vlerëson se eksportet e naftës ruse mund të rriten me rreth 10 miliardë dollarë, ndërsa gjysma e kësaj shume do të përfundojë drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit përmes taksave.
Hilgenstock shton se nëse kriza në Iran vazhdon për më shumë se një ose dy muaj, ekonomia ruse mund të kthehet “në një situatë mjaft të rehatshme”.
Për tregun global
Në nivel global, ndikimi i këtij vendimi në tregun e energjisë do të jetë relativisht i kufizuar, thotë Warren Patterson, drejtues i strategjisë së mallrave në bankën holandeze ING.
Sipas tij, ky hap “vetëm sa prek sipërfaqen” e problemeve të furnizimit me naftë që po shkakton situata në Gjiri Persik.
“Ka vetëm një zgjidhje për tregun e naftës dhe ajo është rikthimi i rrjedhës së naftës përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha Patterson.
Ai shtoi se India dhe vende të tjera aziatike, të cilat janë goditur më shumë nga mbyllja e kësaj ngushtice strategjike, ka shumë gjasa të jenë blerësit kryesorë të naftës ruse që do të rikthehet në treg./mxh
