Në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry të Francë, më datë 13 qershor do të hapet ekspozita me 49 ikona të përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

Bëhet fjalë për vepra të përzgjedhura me kujdes, prej shekullit të XIV-të dhe deri në fillim të shekullit të XX-të.


Këto vepra prezantojnë më së miri zhvillimin e ikonografisë shqiptare, dëshmitë e para të artit figurativ në Shqipëri, që mbartin histori.

Publiku francez do të njihet me artin e ikonografisë shqiptare, të cilat datojnë nga periudha dhe vende të ndryshme të Shqipërisë, ku arti bizantin pati një zhvillim më të madh dhe përqafoi të gjitha rrymat dhe stilet e pikturës bizantine dhe ndikimet perëndimore.

Krahas ikonave të periudhës bizantine, disa nga veprat i takojnë edhe emrave të mëdhenj të pikturës post-bizantine shqiptare, si Onufri, Kostandin Jeromonaku, Kostandin Shpataraku, vëllezerit Zografi, Vangjel Zengo me vajzat e tij piktore, e shumë të tjerë.

Krahas ekspozitës do të botohet edhe katalogu prestigjioz, në të cilin emra të rëndësishëm të artit bizantin shqiptar dhe francez, do të hedhin dritë për ikonografinë, zhvillimin e artit bizantin dhe post-bizantin ndër shekuj në Shqipëri, duke e bërë të njohur ndërkombëtarisht dhe renditur krah vendeve europiane me histori të vjetër artistike./mxh
