Një periudhë e zgjatur me mot të vranët dhe pa erë mund të ulë ndjeshëm prodhimin e energjisë diellore dhe asaj të erës në Europë, duke detyruar rrjetet elektrike të mbështeten te burimet rezervë ndotëse dhe më të kushtueshme.
Europa rrezikon të përballet me fenomenin e njohur si “Dunkelflaute”, një term gjerman që përshkruan periudhat kur mungesa e diellit dhe e erës pengon prodhimin e energjisë së rinovueshme. Energjia diellore, e cilësuar si një nga shtyllat kryesore të tranzicionit drejt braktisjes së lëndëve djegëse fosile, është ndër burimet më të shpejta për t’u instaluar dhe më të lira për prodhimin e energjisë në botë. Në kushte të favorshme, prodhimi i një njësie energjie përmes paneleve diellore mund të kushtojë vetëm 0,024 euro, duke qenë dukshëm më ekonomik se qymyri, gazi dhe madje edhe energjia e erës.
Që nga fillimi i luftës me Iranin, më 28 shkurt, energjia diellore i ka kursyer Bashkimit Europian 42,9 miliardë euro në importe të shmangura të gazit. Ajo ndihmoi gjithashtu në stabilizimin e rrjetit elektrik gjatë verës, kur valët e njëpasnjëshme të të nxehtit rritën ndjeshëm konsumin e energjisë për ftohje. Por periudhat e zgjatura me mot të freskët, vranësira dhe mungesë ere përbëjnë një sfidë serioze.
Fenomeni “Dunkelflaute”, që në gjermanisht përkthehet si “qetësi e errët”, shfaqet zakonisht nga tetori deri në shkurt në Europën Veriore dhe karakterizohet nga prodhimi shumë i ulët ose pothuajse zero i energjisë nga dielli dhe era. Orët e shkurtra të ditës, vranësirat e dendura dhe mjegulla e përkeqësojnë situatën, pikërisht në një periudhë kur temperaturat e ulëta rrisin kërkesën për ngrohje. Periudhat disa ditore të këtij fenomeni janë të rralla, por kur ndodhin, rrjetet elektrike detyrohen të mbështeten më shumë te burimet rezervë, si gazi natyror, të cilat janë më të kushtueshme. Sipas parashikimeve të Bloomberg, çmimet e energjisë elektrike në tregun gjerman për furnizimin e ditës pasardhëse, më 29 tetor, kaluan 300 euro për megavat-orë, rreth dyfishi i mesatares së muajit tetor, ndërsa gjatë orëve të pikut në mbrëmje kapërcyen edhe 500 euro.
Problemi po ndihet edhe në nivel familjar. Një banor në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka instaluar në çatinë e shtëpisë 12 panele diellore me kapacitet të përgjithshëm 6,36 kW, i tha Euronews Earth se të mërkurën, më 4 nëntor, panelet prodhuan vetëm 10,90 kWh energji, duke e detyruar të merrte nga rrjeti edhe 27,40 kWh për nevojat e banesës. Të enjten, kur qyteti ku jeton ishte i mbuluar nga retë gjatë gjithë ditës, prodhimi ra në vetëm 2,40 kWh, ndërsa nga rrjeti u morën 20,60 kWh. Kjo ndodhi pavarësisht se banesa kishte edhe një bateri për ruajtjen e energjisë me kapacitet 11,52 kWh, e cila karikohet gjatë natës, kur tarifat janë më të ulëta, për t’u përdorur gjatë ditës.
“Pothuajse nuk po prodhojmë fare energji. Është jashtëzakonisht zhgënjyese të shohësh se po marrim kaq shumë energji nga rrjeti, kur kemi shpenzuar mijëra paund për një sistem diellor. Megjithatë, e dimë se panelet do të fillojnë të funksionojnë më mirë sapo të largohen retë”, tha banori, i cili preferoi të mbetet anonim. Parashikimet tregojnë se moti i vranët do të vijojë gjatë fundjavës dhe në ditët e para të javës së ardhshme, duke ulur më tej prodhimin e energjisë diellore në shumë banesa britanike.
Megjithatë, prodhimi më i ulët gjatë dimrit nuk do të thotë se panelet diellore bëhen të padobishme. Në Bashkimin Europian, pjesa e energjisë diellore në prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike arriti në 25,4% në qershor, ndërsa në tetor ra në 13,2%. Energjia diellore varet nga drita dhe jo nga nxehtësia, ndaj panelet vazhdojnë të prodhojnë energji edhe gjatë ditëve të ftohta. Sipas kompanisë britanike Good Energy, sistemet diellore familjare në Mbretërinë e Bashkuar mund të prodhojnë gjatë dimrit rreth 25-35% të sasisë së tyre vjetore të energjisë, duke ndihmuar në përballimin e faturave të muajve të ftohtë.
Rënia e prodhimit diellor përkon shpesh me rritjen e prodhimit të hidroenergjisë, i cili në Bashkimin Europian nisi të rritej që nga tetori i vitit të kaluar. Nga ana tjetër, energjia diellore ka treguar se mund të ndihmojë në përballimin e rritjes së konsumit gjatë valëve të të nxehtit, kur shtohet përdorimi i kondicionerëve dhe pajisjeve të tjera ftohëse. Sipas institutit kërkimor Ember, gjatë valës së të nxehtit në fund të qershorit, kërkesa ditore për energji elektrike u rrit deri në 28% në Itali, 23% në Hungari, 14% në Francë dhe 13% në Spanjë, krahasuar me ditët para valës së të nxehtit.
Ember thekson se, ndërsa kërkesa për energji u rrit për shkak të temperaturave të larta, energjia diellore ishte i vetmi burim i madh energjetik që performoi më mirë se zakonisht. Prodhimi mesatar ditor gjatë valëve të të nxehtit ishte 17% më i lartë në Francë dhe Hungari, 5% më i lartë në Spanjë dhe mbeti në të njëjtin nivel në Itali. Një analizë tjetër e institutit zbuloi se një banesë tipike në Mbretërinë e Bashkuar, e pajisur me panele diellore në çati, prodhoi energji të mjaftueshme për të furnizuar një kondicioner për pesë orë në ditë gjatë periudhës së të nxehtit.
Në të njëjtën kohë, burimet energjetike që kërkojnë sasi të mëdha uji, si qymyri, hidrocentralet dhe energjia bërthamore, përballen me vështirësi gjatë valëve të të nxehtit. Temperaturat ekstreme dhe mungesa e reshjeve mund të shkaktojnë thatësira të zgjatura, duke kufizuar furnizimin me ujë për ftohjen e centraleve. Në gusht, Polonia u detyrua të reduktonte prodhimin në termocentralet me qymyr për shkak të nivelit kritikisht të ulët të ujit në lumin Vistula. Ky vendim hoqi përkohësisht 1,3 gigavat nga sistemi energjetik polak, një sasi e mjaftueshme për të furnizuar më shumë se një milion familje mesatare, ose rreth 2% të kapacitetit aktual energjetik të vendit./k,m
