Last Updated on 18/06/2026 by EL
Kur dokumentari i rremë britanik Alternativa 3 [Alternative 3] tentoi t’i trembte shikuesit me idenë se shkencëtarët po zhdukeshin – si pjesë e një komploti të errët hapësinor – ai pati sukses. Sot, teoria konspirative që lindi prej tij ka bërë që edhe qeveria e Trumpit të nisë një hetim.
Nga: Phil Tinline / The Guardian
Në muajt e fundit, një histori e çuditshme është përhapur gradualisht në mediat kryesore – përmes qosheve sensacionale të Substack-ut dhe YouTube-it. Pretendimi i saj: shkencëtarët, puna e të cilëve lidhej me kërkimet hapësinore dhe bërthamore, po vdesin ose zhduken. Sipas një raporti me ndikim të publikuar në Daily Mail në mars, këto zhdukje formojnë një “model rrëqethës”: për shembull, dy prej tyre kishin punuar së bashku në një laborator të forcave ajrore. Në disa versione të historisë, nënkuptimet janë thuajse si në filmat e Holivudit: shkencëtarët që punonin në zbulime tepër sekrete përballen me forca të errëta që duan të përvetësojnë atë që ata dinë – ose ta sigurojnë heshtjen e tyre. Dhe, e gjithë kjo duket se lidhet me atë që dikur e quanim UFO.
Pas analizës, këto pretendime shemben. “Shkencëtarët” në fjalë në fakt punonin në fusha krejt të ndryshme – nga biologjia kimike deri te fizika e plazmës. Disa prej tyre ishin administratorë. Dy kishin dalë në pension. Njëri vdiq prej shkaqeve natyrore; një tjetër gjatë një sulmi me armë zjarri. Për më tepër, siç ka theksuar studiuesi që demaskon teoritë konspirative, Mick West, numri i personave me autorizime të larta sekrete në sektorët amerikanë të hapësirës ajrore dhe bërthamore është rreth 700 mijë, kështu që normat normale të vdekshmërisë do të parashikonin shumë më tepër vdekje gjatë periudhës 22-mujore që përmendet – rreth katër mijë. Megjithatë, anëtarë të Kongresit kanë paralajmëruar me tone të errëta për kërcënime ndaj “sigurisë kombëtare.” Administrata Trump ka nisur një hetim mbi një fenomen që shpesh thuhet se shoqërohet me diçka të quajtur Alternativa 3 – origjina e së cilës mund të rezultojë befasuese për Trumpin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Më 20 qershor 1977, një episod i emisionit Science Report në Anglia Television, u transmetua në ITV. Ai synonte të hetonte “ikjen e trurit” të shkencëtarëve britanikë drejt Shteteve të Bashkuara. Por, shpejt doli se disa prej këtyre shkencëtarëve ishin zhdukur krejtësisht, ndërsa disa të tjerë kishin vdekur në rrethana të çuditshme. Gazetarët kishin hasur në diçka gjigante. Siç shpjegonte me seriozitet prezantuesi, ish-spikeri i lajmeve të ITV-së, Tim Brinton, efekti serrë së shpejti do ta bënte Tokën të pabanueshme dhe kjo i kishte detyruar të pushtetshmit të zgjidhnin mes alternativave të tmerrshme. Qeveritë amerikane dhe sovjetike kishin vendosur të bashkëpunonin fshehurazi për të zbatuar Alternativën 3: ndërtimin e një baze në Hënë dhe, prej andej, një “koloni mbijetese njerëzore” për elitën në Mars. Shkencëtarët e zhdukur ishin rekrutuar për të luajtur rolin e tyre në këtë projekt; ata që kishin vdekur kishin kërcënuar se do ta zbulonin planin.
Siç ndoshta e keni kuptuar tashmë, “dokumentari” ishte një dramë – gjë që tregohej qartë nga titrat përmbyllëse, ku renditeshin aktorët që luanin rolin e gazetarëve të tmerruar dhe të shkencëtarëve të frikësuar. Science Report nuk ekzistonte; e gjithë historia ishte shpikur nga një skenarist me emrin David Ambrose. Ai ishte përpjekur të shkruante për njerëz që zhdukeshin, kur i lindi ideja e një dokumentari të rremë për njerëz që zhdukeshin drejt Marsit, të shtyrë të largoheshin nga Toka për shkak të një shqetësimi të ri: ngrohja globale e shkaktuar nga ndotja. Prej aty, siç më thotë ai, skenari “u shkrua vetvetiu,” duke u mbështetur te klishetë dramatike të gazetarisë investigative televizive në epokën e Uatergejtit: intervista të regjistruara fshehurazi në rrugë, të vërteta të fshehura në kaseta me cilësi të dobët dhe dëshmitarë të tmerruar që dinin më shumë sesa duhej.
Historia prekte ankthet serioze për të ardhmen, por ideja për të luajtur me këtë frikë, përmes një dokumentari të rremë, ngriti shqetësime. “Të gjithë në Anglia Television po dridheshin nga frika,” kujton Ambrose. Por, drejtori ekzekutiv, themelues i Anglia-s, ishte një nga manjatët më të mëdhenj të kinemasë britanike, Sir John Woolf, i cili kishte bërë filma me yje si Ava Gardner dhe Humphrey Bogart. Dhe, ai “u dashurua menjëherë në këtë ide, sepse e dinte saktësisht çfarë ndikimi do të kishte, dhe thjesht i shpërfilli të gjithë të tjerët duke thënë: ‘Vazhdoni tutje!’”
Për t’i dhënë programit më shumë autoritet, producentët iu drejtuan Tim Brintonit – të cilin miqtë e paralajmëruan të mos përfshihej, pasi po përpiqej të bëhej deputet i Partisë Konservatore. Brintoni i shpërfilli këshillat, luajti rolin e prezantuesit serioz në mënyrë krejtësisht bindëse – dhe gjithsesi i fitoi zgjedhjet. Brian Eno u angazhua për të kompozuar një temë të frikshme muzikore. Drejtori artistik, Terry Ackland-Snow, i cili kishte punuar në filmin e Stanley Kubrickut, 2001: Odiseja hapësinore [2001: A Space Odyssey], krijoi me zgjuarsi përshtypjen e shenjave të jetës nën sipërfaqen marsiane, duke tërhequr një gozhdë nën rërë. Ekipi siguroi pamje nga NASA dhe u shtoi atyre komente të rreme sensacionale të astronautëve – një përzierje faktesh dhe trillimi që Ambrose e pranon me humor se ishte “plotësisht e pandershme.”
Programi ishte planifikuar të transmetohej më 1 Prill, në Ditën e Gënjeshtrave, por për arsye të rastësishme transmetimi u shty dhe u shfaq më 20 qershor. Ambrosei thotë se kishte “synuar të shkaktonte trazim” – dhe pikërisht këtë bëri. Megjithëse titrat përmbyllëse nisnin me një shënim që thoshte “1 Prilli,” shumë njerëz e morën programin seriozisht. ITV-ja u përmbyt nga telefonatat e shikuesve – disa duke protestuar, të tjerët duke kërkuar siguri se programi ishte trillim. Gazeta skoceze Daily Record e titulloi polemikën me fjalët: “Terrori në TV!” Ackland-Snowit madje i trokiti në derë një Dëshmitar i zemëruar i Jehovait, për t’i thënë se duhej të turpërohej nga vetja.
Alternativa 3 u transmetua njëkohësisht në Kanada, Islandë, Zelandën e Re dhe Australi – por, jo në Shtetet e Bashkuara. Rrjeti ABC dëshironte ta transmetonte në shkallë kombëtare, por rregullat e transmetimit nuk e lejuan. Fillimisht, ai mund të shihej vetëm nga ata amerikanë që kapnin programet kanadeze në televizorët e tyre. Megjithatë, në vitin 1978 u botua një libër i bazuar në këtë program. Ambrose ishte tepër i zënë për ta shkruar vetë, por me miratimin e tij u angazhua gazetari Leslie Watkins. Watkinsi shtoi në histori makthe të tjera tipike të viteve ‘70 të shekullit XX – duke u mbështetur në zbulimet rreth përpjekjeve të CIA-s për kontrollin e mendjes, ai sugjeroi se Alternativa 3 përfshinte “modifikimin” e grupeve të njerëzve për t’i shndërruar në skllevër. Libri sugjeronte gjithashtu se pretendimi se dokumentari ishte mashtrim, ishte veçse një histori mbuluese për të fshehur të vërtetën.
Dhe, kështu, trillimi i Ambroseit u shkëput nga origjina britanike dhe gjeti strehë në peizazhin e çuditshëm imagjinar të teorive konspirative amerikane. Siç e përshkruan politologu Michael Barkun në librin Kultura e konspiracioneve [A Culture of Conspiracy], ideja e emisionit se elita po planifikonte të braktiste Tokën u përputh me vizione tashmë ekzistuese të një apokalipsi të afërt. Shembull është besimi i të krishterëve evangjelistë në “rrëmbim” – momenti kur, sipas tyre, të zgjedhurit do të zhduken, duke i lënë të gjithë të tjerët përballë fatit të tyre.
Jeta e dytë e Alternativës 3 mori hov të vërtetë në vitin 1991, kur teoricieni konspirativ, Milton William Cooper, e përfshiu atë në librin e tij, Ja një kalë i zbehtë [Behold a Pale Horse]. Rrëfimet paranojake të librit për të këqijat e qeverive sekrete, të “vërtetuara” përmes trillimeve si Alternativa 3, ndikuan jo vetëm te konspiracionistët e bindur si Alex Jones, por edhe në kulturën më të gjerë popullore: nga bota e Dosjeve X [The X-Files], e fiksuar pas UFO-ve dhe idesë se asgjë nuk është ashtu siç duket, deri te një numër artistësh të hip-hopit. Për shembull, në këngën Testify të vitit 2008, reperi Nas përmend me emër se “William Cooperi ju tha se kali i zbehtë është e ardhmja.”
Cooperi e bashkoi Alternativën 3 me teori rreth AIDS-it, shpopullimit të planetit dhe vrasjes së Kennedyt, ndërsa këmbëngulte se Science Report kishte qenë emision i vërtetë. Një tjetër teoricien me ndikim, Jim Keith, shkroi librin Dosja mbi Alternativën 3 [Casebook on Alternative 3], i cili përfshinte edhe një kapitull me titull “Shkencëtarët e zhdukur.” Libri nis duke pranuar se historia duket si një mashtrim. Por, po sikur ky pretendim të jetë vetë një hile e elitës? Ndërkohë, konspiracionistët e tjerë shqetësoheshin për një pyetje tjetër: kush do të lejohet të shkojë në Mars? Sa lartë duhej të ishte dikush në hierarkinë masonike për ta fituar atë privilegj? Vetë Ambroseit i ndodhi një përvojë e pazakontë kur një i ri iu shfaq papritur.
“Ai tha se kishte ardhur nga Kalifornia,” kujton shkrimtari, “dhe se kishte nevojë ta dëgjonte të vërtetën nga burimi. Dukej krejtësisht i arsyeshëm, shumë i sjellshëm. Biseduam pak. Unë i thashë: ‘Jo, më vjen vërtet keq. E kam shpikur të gjithë historinë.’ Dhe ai mbeti thellësisht i zhgënjyer.”
Si ndihet ai për faktin që ideja e tij, e krijuar 50 vjet më parë, ende i bind disa njerëz edhe sot? “Sinqerisht: ‘Uau, vërtet ia doli!’ Një klasik i llojit të veçantë.” Pyetja se çfarë janë të gatshëm të besojnë njerëzit, mendon ai, është “një temë që ia vlen të shqyrtohet.” Ai citon një thënie të vjetër: “Është më e lehtë ta mashtrosh dikë sesa ta bindësh se është mashtruar.”
Alternativa 3 tregon se sa ndikim mund të ketë një mashtrim i ndërtuar me kujdes, edhe kur krijuesit e tij këmbëngulin se nuk është i vërtetë. Dhe, ai nuk është aspak rasti i vetëm. Versioni radiofonik i vitit 1938 i Luftës së botëve [The War of the Worlds] nga Orson Wellesi shkaktoi panik dhe ankth te shumë dëgjues me “buletinet e lajmeve” që raportonin për një pushtim jashtëtokësorë të Nju-Xhersit. (Ambrose punoi me Wellesin kur ishte i ri, por thotë se Lufta e botëve nuk ndikoi në krijimin e Alternativës 3.) Megjithatë, shembulli më i interesant është ndoshta Raporti nga Mali i Hekurt – një raport i supozuar i qeverisë amerikane nga vitet ’60 të shekullit XX, i cili paralajmëronte se paqja botërore do të shkatërronte Shtetet e Bashkuara, por që në fakt ishte sajuar nga satiristë kundër luftës. Ashtu si Alternativa 3, edhe ky tekst është marrë për dekada me radhë shumë më seriozisht sesa duhej – nga teoricienët e konspiracionit, të cilët e kanë përdorur për të mbështetur frikën e vet: se qeveria po planifikon të skllavërojë popullsinë dhe se katastrofat mjedisore po përdoren si justifikim për vendosjen e tiranisë.
Makthi bazik që fshihet pas këtyre historive – ideja se qeveria është njëkohësisht pafundësisht e fuqishme dhe pafundësisht e ligë – fshihet edhe nën histerinë e sotme rreth “shkencëtarëve të zhdukur.” Makthi i vërtetë sot është se një pjesë e madhe e qeverisë amerikane shihet si e drejtuar pikërisht prej teoricienëve konspirativë.
Prandaj, duke parë nga bota e sotme e videove të rreme dhe e keqinformimit masiv, a nuk duket paksa e rrezikshme të krijosh një dokumentar të rremë që “zbulon” një komplot të keq qeveritar? Ambrose thotë se situata në vitin 1977 ishte “shumë ndryshe” dhe se krijimi i një “dokumentari” të tillë dukej diçka radikale. “Ishte një gjë e një të riu,” thotë ai. “Nuk ke frikë; thjesht je më i etshëm për të lënë gjurmë dhe për të pasur ndikim.” Në fund të fundit, ai thotë se po ndiqte vetëm logjikën e idesë së tij.
“Po përpiqesha të shkruaja një dramë,” thotë ai. “Dhe, çuditërisht, asnjëherë, kurrë, nuk e kam menduar si një mashtrim.” /et
