Last Updated on 09/07/2025 by adminfjala
Aktori i humorit, Ermal Mamaqi ka folur së fundmi lidhur me largimin e tij nga bota e televizionit tashmë prej vitesh, ndërsa është fokusuar në një tjetër fushë, atë të trajnimeve motivuese.
I ftuar në podkastin “Flet” të Ilnisa Agollit, Mamaqi u shpreh se gjatë kohës që ishte drejtues i emisioneve “late night shoë”, e kuptoi që ishte në rënie.
Ndër të tjera ai tregon sesi nisi rrugëtimin si regjisor filmash, teksa tregoi se asnjë regjisor në atë kohë nuk pranonte që ta merrte si aktor në filmin e tij dhe se vendosi që të lançonte prodhime të tij.
Pjesë nga intervista:
Ilnisa Agolli: Pse je shkëputur nga bota e televizionit?
Ermal Mamaqi: Mendoj se unë jam shumë elastik në transformimin e këtij personazhit tim, ta vendos në industri të ndryshme. Dhe mendoj që koha ime për atë shoë që unë bëja, nga “6 ditë pa Ermalin”, “Xing me Ermalin”, pra ‘late night show’, e pashë që isha në rënie. E di kur është momenti më i mirë për ta mbyllur një bisedë me dikë? Kur gjithçka po funksionon, në ‘peek state’, kur jemi të gjithë duke qeshur, ti thua ‘natën, ika unë’. Dhe ngelet një shenjë, ngelet një ndjenjë, sa bukur ia kalova…
Ilnisa Agolli: Do ta bëje ndonjëherë një film autor pa vrarë mendjen se çfarë thonë panelistët?
Ermal Mamaqi: Nëse do më ofrohej një projekt i tillë patjetër që do e bëja. Faktikisht, arsyeja se pse unë kam bërë filmat e mi, është se i kërkoja regjisorëve të ndryshëm të filmave që bëheshin në atë kohë, të më merrnin në filmat e tyre dhe asnjëri nuk më merrte. Dhe u futa, mësova, kam bërë regji filmi online dhe production managment të filmit përsëri online dhe mësova se si bëhet filmi. Ngrita grupin tim dhe krijova filmin “2 Gisht Mjaltë” që është filmi më i shitur ndonjëherë në historinë e kinematografisë shqiptare. Dhe këtë e thonë faktet, nuk e them unë, e thonë numrat në kinema. m.p.