Last Updated on 03/03/2026 by Anisa
Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” , deklaroi se protestat e organizuara nga PD-ja po prodhojnë efekt të kundërt politik dhe, sipas tij, po favorizojnë kryeministrin Edi Rama.
Duke iu referuar protestës së fundit, ku u hodhën molotovë në drejtim të ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, Salianji tha se këto veprime sollën reagimin e ambasadave të huaja, të cilat dënuan dhunën, duke e kthyer situatën në disfavor të PD-së.
“Ka arsye për protesta, por mungon strategjia”.
Salianji theksoi se arsyet për të protestuar kundër qeverisë janë të shumta, duke përmendur skandalet dhe akuzat për korrupsion, por sipas tij, mungon një strategji e qartë nga lidershipi i partisë.
“Qeveria moralisht ka rënë, është e kapur në një mijë skandale, por narrativa që ka lidershipi i PD-së i shkon në favor Ramës, përfshirë edhe paqartësinë strategjike,” – u shpreh ai.
Ai shtoi se revolta e qytetarëve është e kuptueshme, por drejtimi i protestave është i gabuar dhe nuk prodhon rezultat politik. Sipas tij, nëse synohet përballja me qeverinë, aksioni duhet të fokusohet institucionalisht, duke përmendur në mënyrë figurative institucione si Ministria e Infrastrukturës apo Ministria e Brendshme.
Sipas tij këto protesta më shumë si pjesë e fushatës së brendshme për zgjedhjet në PD, që pritet të mbahen në prill, sesa si një përpjekje reale për të rrëzuar qeverinë.
“E shoh që këto janë protesta për prillin, jo për të rrëzuar Ramën,” – tha ai.
Salianji theksoi se Partia Demokratike ka pësuar një “topitje” pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe se partia ka nevojë për ndryshim të brendshëm. Ai i cilësoi protestat aktuale si të ndërmjetme, as plotësisht të dhunshme dhe as paqësore, duke shtuar se ato nuk arrijnë të mobilizojnë as qytetarët dhe as militantët.
Sipas Salianjit, deri në protestën e fundit nuk kishte pasur reagim nga ambasadat, por hedhja e molotovëve krijoi një pretekst për dënimin e dhunës. Ai argumentoi se kjo situatë e zhvendos fokusin nga problemet dhe skandalet e qeverisë, duke i dhënë avantazh politik Ramës.
“PD mund ta kishte zaptuar hapësirën publike duke diskutuar për dosje dhe fakte. Në vend të kësaj, fokusi u zhvendos,” përfundoi ai.
