Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar ditën e sotme se është shënuar përparim në negociatat me Iranin, por nuk pranoi të jepte detaje se me kë ka zhvilluar diskutime.
“Ka vende ndërmjetëse që po përcjellin mesazhe dhe është bërë përparim, është bërë një përparim konkret. Negociatat janë një proces i vazhdueshëm dhe fluid”, tha Rubio pak para se të nisej për në një takim të ministrave të jashtëm të G7 në Francë.
I pyetur nëse do t’u kërkonte vendeve të tjera të G7-ës të ndihmonin në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, Rubio tha se është në interesin e tyre të ndihmojnë.
“Vendet e tjera marrin shumë më tepër karburant nga atje sesa ne”, vuri në dukje Rubio.
I dërguari special Steve Witkoff konfirmoi më herët gjatë ditës në takimin e kabinetit të Presidentit Donald Trump se SHBA-të kanë negociuar me Iranin përmes kanaleve diplomatike me Pakistanin./mxh
