Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ka akuzuar Rusinë se po ndihmon Iranin të “vrasë amerikanë” dhe të shënjestrojë bazat amerikane duke ofruar inteligjencë dhe dronë.
Ajo tha se Uashingtoni duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Moskën nëse dëshiron që Irani të ndërpresë sulmet. Këto deklarata, Kallas i ka bërë para takimit të ministrave të jashtëm të G7-ës në Francë.
“Po shohim që Rusia po e ndihmon Iranin me inteligjencë për të synuar amerikanët, për të vrarë amerikanë. Rusia po e mbështet Iranin tani edhe me dronë, në mënyrë që ata të mund të sulmojnë vendet fqinje, si dhe bazat ushtarake amerikane.
Këto luftëra janë shumë të ndërlidhura. Nëse Amerika dëshiron që lufta në Lindjen e Mesme të ndalojë, Irani të ndalojë sulmet, atëherë ata duhet të ushtrojnë presion edhe mbi Rusinë, në mënyrë që të mos jenë në gjendje t’i ndihmojnë ata”, u shpreh Kallas.
Lufta pritet të dominojë bisedimet dy-ditore ministrore të G7-ës, të cilave Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do t’u bashkohet të premten. Udhëheqësit e BE-së kanë theksuar mbështetjen e Rusisë për Iranin si një arsye kryesore që Europa të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Kremlinin lidhur me luftën në Ukrainë.
Komentet vijnë ndërsa kritikat evropiane ndaj vendimit të SHBA-së për të sulmuar Iranin rriten, veçanërisht mes rritjes së çmimeve globale të energjisë./mxh
