Last Updated on 22/06/2026 by EL
Temperatura që afrohen ose kalojnë 40 gradët, alarme të kuqe, shkolla të mbyllura dhe ndërprerje në transport.
Nga Franca te Britania, Spanja e Gjermania, Europa po përballet me një valë të re të të nxehtit që meteorologët e konsiderojnë ndër më intensive ndër vitet të fundit.
Kjo është vala e dytë e të nxehtit që godet kontinentin brenda më pak se një muaji, ndërsa ekspertët e lidhin shtimin e episodeve të tilla me ndryshimet klimatike.
13 viktima nga mbytjet, 2 fëmijë të vdekur nga vapa dhe 845 shkolla të mbyllura në Francë
Franca është ndër vendet më të prekura. Instituti meteorologjik Météo-France ka vendosur 49 departamente, rreth gjysmën e territorit të vendit, në alarm të kuq. Meteorologët paralajmërojnë se e hëna mund të jetë dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Francë, ndërsa më shumë se 90% e popullsisë pritet të ndjejë efektet e kësaj vale të të nxehtit.
Në mes të situatës alarmante, autoritetet po hetojnë edhe vdekjen e dy fëmijëve, 2 dhe 4 vjeç, të cilët u gjetën pa shenja jete në makinën e familjes së tyre në Carpentras, në jug të Francës. Prokurorja Hélène Mourges tha se shkaqet e vdekjes nuk janë përcaktuar ende, por pista kryesore mbetet ekspozimi ndaj temperaturave të larta. Sipas mediave franceze, fëmijët dyshohet se kanë mbetur të mbyllur në automjet pasi nëna ishte kthyer nga pazari. Kur mbërritën ekipet e emergjencës, të dy ishin në arrest kardiak.
Vapa po ndikon edhe në jetën e përditshme. Në Francë, 845 shkolla fillore dhe të mesme janë mbyllur, ndërsa rreth 1.800 të tjera kanë ndërprerë mësimin më herët. Deri tani janë raportuar edhe 13 viktima nga mbytja, teksa njerëzit kërkonin mënyra për t’u freskuar.
Meteorologët francezë e krahasojnë intensitetin e kësaj vale me atë të verës së vitit 2003, kur një valë ekstreme të nxehti shkaktoi afro 15 mijë viktima në vend.
Temperaturat në Spanjë kalojnë 42 gradë Celcius
Në Spanjë, vala e të nxehtit ka hyrë në ditën e saj të dytë. Rajoni bask është vendosur në alarm të kuq pasi temperaturat kaluan 40 gradë Celsius. Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të mbajnë dritaret mbyllur dhe të shmangin përdorimin e pajisjeve që prodhojnë nxehtësi.
Temperaturat kanë kaluar 42 gradë në Andaluzi dhe në zonat qendrore të vendit. Nxehtësia ishte aq e fortë sa u anulua transmetimi publik i ndeshjes së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Arabisë Saudite në qendër të Madridit.
Agjencia meteorologjike Aemet paralajmëron se temperaturat janë nga pesë deri në dhjetë gradë mbi mesataren sezonale. Rënie e lehtë pritet në fundjavë, por vapa do të mbetet intensive.
Në Portugali, Instituti i Detit dhe Atmosferës parashikon që 23 qershori të jetë dita më e nxehtë e kësaj vale. Tre zona në veri dhe qendër të vendit janë vendosur në alarm portokalli, ndërsa mungesa e erës pritet të rrisë ndjesinë e vapës.
Anglia përballë një vale të paprecedentë të së nxehtit
Britania e Madhe po përgatitet gjithashtu për temperatura të pazakonta. Met Office ka shpallur alarm të kuq për “nxehtësi ekstreme” në pjesë të jugut të vendit për 24 dhe 25 qershor. Temperaturat në hije mund të arrijnë 38 deri në 40 gradë Celsius në disa zona, përfshirë Londrën, Birminghamin dhe Cardiffin.
Eksperti i shkencave atmosferike në Universitetin e Readingut, Akshay Deoras, paralajmëroi se Anglia po përballet me një valë të nxehti “intense” dhe “të paprecedentë”, me pasoja të mundshme për shëndetin publik, infrastrukturën dhe shërbimet thelbësore.
‘Çmendet’ moti në Gjermani, pas reshjeve të dëborës vijnë temperaturat 40 gradë
Në Gjermani, fundjava solli kontraste të forta. Disa zona u goditën nga stuhi dhe reshje të dendura breshëri. Në Braunfels-Philippstein, në landin e Hessenit, në perëndim të vendit autoritetet përdorën mjete pastrimi bore për të larguar breshërin nga rrugët, pasi shtresa e akullit arrinte deri në gjunjë.
Por meteorologët paralajmërojnë se kulmi i vapës ende nuk ka mbërritur. Në fund të javës temperaturat mund të kalojnë 40 gradë në perëndim dhe jugperëndim të vendit. Shumë shkolla në rajonin Baden-Ëürttemberg po zbatojnë sistemin “Hitzefrei”, që lejon ndërprerjen e mësimit për shkak të temperaturave të larta.
Anullohen trenat gjatë orëve të pikut në Belgjikë
Belgjika mund të përjetojë javën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë. Sipas Institutit Meteorologjik Mbretëror, temperatura mesatare javore mund të kalojë 27 gradë Celsius. Kompania kombëtare hekurudhore SNCB ka anuluar disa trena gjatë orëve të pikut për shkak të kushteve atmosferike.
Alarm i Verdhë në Hollandë, Zvicër dhe Austri
Në Holandë temperaturat mund të arrijnë deri në 37 gradë Celsius në fund të javës. Në të gjithë vendin është shpallur alarm i verdhë për vapën. Në Zvicër, meteorologët presin që temperaturat të vazhdojnë të rriten gjatë gjithë javës ndërsa një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Austri, ku temperaturat mbi 35 gradë pritet të prekin pjesën më të madhe të vendit.
Situatë e vështirë në Itali, 12 qytete të goditura nga temperaturat e larta
Edhe Italia po përballet me një situatë të vështirë. Aktualisht 12 qytete janë në nivelin maksimal të alarmit për vapën, mes tyre Roma, Milano, Torino, Bolonja dhe Firence. Numri i qyteteve me alarm të kuq pritet të rritet në ditët në vijim.
Autoritetet italiane kanë riaktivizuar linjën telefonike 1500 për këshilla shëndetësore, ndërsa disa rajone kanë vendosur kufizime për punën në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Ekspertët paralajmërojnë se rreziku nuk lidhet vetëm me temperaturat e larta, por edhe me lagështinë, e cila e vështirëson ftohjen natyrale të organizmit. Më të rrezikuarit mbeten të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike dhe ata që punojnë jashtë.
Parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit do të vazhdojë të paktën deri në fund të javës në pjesën më të madhe të Europës, me shumë vende që po përgatiten për ditët më të nxehta të këtij viti./ET
