Gara për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2027 ka nisur të marrë formë. Janë bërë të ditur 28 artistët që do të ngjiten në skenën e edicionit të 65-të të Festivalit të Këngës në RTSH, ku do të përcaktohet kënga që do të synojë përfaqësimin e vendit tonë në kompeticionin evropian të muzikës.
Festivali tradicional do të zhvillohet në muajin dhjetor dhe pritet të bashkojë emra të njohur të muzikës shqiptare me artistë të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të prezantojnë krijimet e tyre përpara publikut.
Përzgjedhja e konkurrentëve vjen pas shqyrtimit të aplikimeve nga komisioni përgjegjës. Periudha e regjistrimit u zhvillua nga 22 deri më 27 shtator, përmes formularëve të publikuar në faqen zyrtare të festivalit. Pjesë e interesimit për këtë edicion kanë qenë këngëtarë dhe krijues nga Shqipëria, trevat shqiptare dhe diaspora.
Për të qenë pjesë e garës, projektet muzikore duhet të plotësojnë një sërë kushtesh. Këngët duhet të jenë tërësisht në gjuhën shqipe, të mos kalojnë katër minuta dhe të përfaqësojnë krijime origjinale, të cilat nuk janë publikuar më parë në platforma apo formate të tjera publike.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rregullores është ndalimi i përdorimit të inteligjencës artificiale në çdo fazë të krijimit të këngëve. Gjithashtu, në festival mund të konkurrojnë vetëm artistë mbi 18 vjeç, me nga një projekt muzikor secili.
Përtej rëndësisë që ka për muzikën shqiptare, Festivali i Këngës mbetet një nga ngjarjet më të ndjekura të fundvitit, pasi fituesi do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e Eurovision 2027./mxh
