Një ritual i pazakontë ka bërë që aktorja britanike Rachael Stirling të jetë në qendër të vëmendjes. Ajo ka zbuluar se, përpara se të ngjitet në skenën e teatrit, konsumon një sasi shumë të vogël nga hiri i nënës së saj, aktores së ndjerë Diana Rigg.
Në librin e saj me kujtime, “Gjithçka rreth nënës sime”, Stirling shpjegon se kjo praktikë e ndihmon të përballojë emocionet dhe ankthin para shfaqjeve, ndërsa i jep ndjesinë se nëna e saj vazhdon ta shoqërojë në momentet më të rëndësishme të karrierës. Për aktoren, prania e saj është një lloj “superfuqie” që e ndihmon të gjejë forcë përpara publikut.
Sipas rrëfimit të saj, ky zakon nisi në vitin 2022, me premierën e shfaqjes “Scandaltown”, dhe ajo synon ta vazhdojë edhe në premierat e ardhshme.
Rrëfimi shkaktoi reagime të shumta në media, disa prej të cilave, sipas Stirling, e paraqitën në një mënyrë ekstreme. Në një shkrim për gazetën “The Guardian”, aktorja komentoi me ironi mënyrën se si u interpretua historia e saj: “Mediat më portretizuan si një kanibal që ha nënën e tij.”
Megjithatë, reagimet negative nuk duket se e kanë bindur të heqë dorë nga ky ritual, të cilin ajo e lidh me marrëdhënien e veçantë që kishte me të ëmën.
Diana Rigg u nda nga jeta në vitin 2020, duke lënë pas një karrierë të spikatur në teatër, film dhe televizion. Ajo u bë veçanërisht e njohur për publikun e gjerë përmes roleve në serialin “Game of Thrones” dhe filmin e James Bond, “On Her Majesty’s Secret Service”.
Ndërsa për Rachael Stirling ky veprim përfaqëson një lidhje personale me nënën e saj, mbetjet e kremimit nuk janë të destinuara për konsum dhe një praktikë e tillë nuk rekomandohet nga pikëpamja shëndetësore./mxh
