Qytetarët e Bashkimit Evropian po mbështesin gjithnjë e më shumë idenë e forcimit të sovranitetit dixhital të Evropës, ndërsa shqetësimet për varësinë nga kompanitë teknologjike amerikane dhe kineze po rriten. Sipas raportit të fundit të Eurobarometrit, shumica e evropianëve dëshirojnë që BE-ja të investojë më shumë në infrastrukturë dhe shërbime dixhitale të kontrolluara nga vetë blloku.
Aktualisht, rreth 80% e infrastrukturës dhe teknologjisë dixhitale të përdorur në Evropë vjen nga jashtë BE-së. Tregu dominohet nga kompani amerikane si Google, Microsoft dhe Apple, si dhe nga gjigantë kinezë si Alibaba dhe ByteDance, pronari i platformës TikTok.
Mbështetja më e fortë për investimet në teknologji evropiane vjen nga vendet nordike. Në Suedi, 94% e të anketuarve besojnë se BE-ja duhet t’i japë përparësi zhvillimit të infrastrukturës dixhitale evropiane, e ndjekur nga Finlanda me 93% dhe Danimarka me 92%.
Po ashtu, shumica e qytetarëve të BE-së kërkojnë uljen e varësisë nga teknologjitë e huaja. Ky qëndrim është më i theksuar në Suedi, ku 88% e të anketuarve mbështesin këtë ide, si dhe në Gjermani, Danimarkë, Finlandë dhe Luksemburg, ku përqindja arrin në 87%.
Sipas studiuesit suedez Johan Linaker, ndjenja e urgjencës për sovranitet dixhital është forcuar nga zhvillimet gjeopolitike. Ai përmend Danimarkën si një shembull, ku debatet lidhur me Groenlandën kanë nxitur iniciativa publike si fushata “Danmark Skifter”, e cila promovoi përdorimin e platformave alternative dhe reduktimin e varësisë nga kompanitë e mëdha teknologjike.
Megjithatë, gatishmëria për të kaluar te shërbimet dixhitale me bazë në BE ndryshon nga një vend në tjetrin. Danezët rezultojnë më të gatshëm të paguajnë më shumë për shërbime evropiane, me 76% mbështetje, të ndjekur nga suedezët dhe kroatët me nga 73%. Në anën tjetër, estonezët, bullgarët dhe çekët shfaqin më pak entuziazëm për këtë ndryshim.
Siguria më e lartë dhe besueshmëria më e madhe konsiderohen faktorët kryesorë që mund të bindin qytetarët të zgjedhin alternativa evropiane. Ndërsa mbrojtja më e mirë e të dhënave personale mbetet një tjetër arsye e rëndësishme, veçanërisht në Austri, Holandë, Irlandë dhe Portugali.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa konkretë për të forcuar pavarësinë teknologjike. Komisioni Evropian ka prezantuar së fundmi një paketë për sovranitetin teknologjik, e fokusuar në zhvillimin e cloud-it, inteligjencës artificiale, teknologjive me burim të hapur dhe prodhimit të çipave. Paketa synon të zvogëlojë rrezikun që shërbime kritike, si ato në sektorin e shëndetësisë apo mbrojtjes, të varen nga vendime të qeverive të huaja ose kompanive jashtë Evropës.
Ekspertët theksojnë se qëllimi nuk është zëvendësimi i plotë i teknologjive të huaja, por krijimi i kapaciteteve të nevojshme për të menaxhuar rreziqet dhe për të garantuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës dixhitale evropiane./kb
