Last Updated on 20/03/2026 by Anisa
Nga Luljeta Progni
Thirrja e Ezanit do të jehonte si kurrë ndonjëherë më parë me zërin e hoxhë Adem Metalia në kampin e Çengelajve, agun e një dite vere në vitin 1952. Ishte dita e Bajramit dhe qindra besimtarë myslimanë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, të burgosur si kundërshtarë të regjimit komunist, ishin rreshtuar me rregull në katër cepat e fushës së madhe që rrethohej prej telave me xhemba. Sexhdet ishin zëvendësuar me ndonjë shami, kemishe a ndonjë rrobë që secili kishte në qelinë e errët të diktaturës. Kjo nuk kishte rëndësi në ato kushte, më shumë se sa lutja që dilte prej shpirtit të robëruar në burgun komunist, ditën e shenjtë të Bajramit.
Ahmet Bushati ishte një prej besimtarëve mysliman i burgosur në atë kamp. Është një prej shkrimtarëve që ka botuar disa libra për vuajtjet në burgjet komuniste. Mes shumë kujtimeve të vyera që ka shkruar për periudhën e burgut, është dita e Bajramit në kampin e Çengelajve, që ishte ndërtuar në vitin 1952 ndërmjet Peqinit dhe Kavajës. Ai nuk mundi të ishte në atë fushë që për pak çaste ishte kthyer në në një vënd të shënjte, sepse ishte i shtrirë në shtrat, i sëmurë prej plagëve prej torturave dhe punës së detyruar.
Ahmet Bushati, Kampi i Çengelajve, 1952
“Më ishte infektue keq thembra e njenës kambë, aq sa për disa ditë nuk muejsha me e prekë me të në tokë. Me temperaturë e pushim të mjekut më zue edhe nata e festës së Bajramit, e që prej temperaturës së naltë që kisha pasë, nuk pata ndigjue se ç’mund të ishte folë rreth ditës së nesërme, ditës së Bajramit. Ishte verë dhe të nesërmen në mëngjes herët shumë, nji dritare e vockël që binte mbi kryet tim, bashkë me dritën që sapo kishte nisë me zbardhë, po më fuste edhe nji freski të kandshme, të cilën po e ndjejsha se më rrëshqiste me ëmbëlsi mbi fytyrë. Nuk dij ç’ndodhi që unë papritmas u ngrita përnjëherë me vërejtë përjashta, kur si për një mrekulli, m’u shfaq para tablloja madhështore e faljes së Bajramit nga ana e të burgosurve myslimanë, të cilët qysh me natë kishin pasë pushtue cep më cep gjithë katrorin e oborrit të madh të kampit, që mue prej emocionit e çudisë më bani të shtangesha menjëherë.
“Kishte pasë ndjehë Ditë Bajrami! Në fillim nuk po iu besojsha syve dhe ende pa pasë fitue vetëdijen, gjithçka aty po m’u dukte si në andërr, sikur t’u ndodhsha para nji pamjeje që e kishte lëshue nata. Besimtarë të burgosun qysh prej krahinave ma të epra të Kosovës në veri e deri poshtë n’ato të Çamërisë tonë të dhimbsun, po u ngrijshin e u ulshin si me komandë nën “ezanin” e thellë e prekës të hoxhës simpatik, Adem Metalia prej Tropoje, tue ba që ai shesh kampi komunist të ishte shndërrue për pak kohë në nji tempull, xhami, ku besimtarë të vuejtun që prej thellë shpirtit i luteshin Zotit të plotfuqishëm si asnjëherë tjetër në jetën e tyre. Nuk kishte ndodhë ndonjëherë! Fjala njatë, por unë që ndigjojsha ezanin e hoxhës që u përhapte gjithandej si thirrje qielli dhe njerëzit mbrapa që atij iu bindshin ashtu verbrisht e me përulësi, bashin që mue, si në ekstazë, të m’u dukte vetja po u ndodhsha diku mes qiellit e tokës, mes një fantazie të kahershme fëminore e realitetit të një kampi komunist. Ndër tjera, do të më tërhiqte vërejtjen e disi edhe të më prekte qëndrimi që me atë rast po tregojshin edhe ata të komandës ndaj ndërgjegjes së tyne, tue ba që atyne njerëzve të shkëputun prej familjeve e lirisë, atë ditë t’ua respektonte dashurinë e lidhjen e tyne me Zotin, që ishte ma e shenjta gja e jetës së tyne.
Nuk qeshë largue ende prej asaj dritareje të vogël dhe as çlirue prej atij emocioni, kur pashë se si ata të burgosun, mbasi mbaruen faljen, mbështollën pa u ngutë shtrojë e shami, mbi të cilat kishin pasë mbështetë gjunjë e krye, e u përzien paqësisht tue u përfalë mes tyne si vëllazën e me mall, ndërkohë që mue vetvetiu, sikur më vinte me thirrë: “Shqipni, Shqipni, a ke kenë ndonjëherë?” e “A thue vërtetë do t’bahesh nji ditë?”
