Për shumë gra që synojnë të ndërtojnë një karrierë, ideja e një marrëdhënieje të barabartë me partnerin duket si pjesë e zgjidhjes. Ndarja e punëve të shtëpisë, kujdesit për fëmijët dhe shpenzimeve krijon pritshmërinë se dy partnerë mund të ruajnë njëkohësisht ambiciet profesionale. Megjithatë, një analizë e kërkimeve mbi karrierën e grave sugjeron se dinamika brenda çiftit mund të ndryshojë ndjeshëm pas ardhjes së fëmijës së parë.
Një studim i vitit 2014 nga Shkolla e Biznesit e Harvardit, i realizuar nga Robin Ely, Pamela Stone dhe të tjerë, shqyrtoi pikërisht mënyrën se si gratë me karriera të suksesshme e përjetojnë jetën profesionale dhe familjare. Sipas autorëve, lindja e fëmijëve nuk ishte në vetvete faktori që shpjegonte largimin nga ambiciet profesionale.
Pritshmëritë për karrierën nuk ndryshojnë ndjeshëm mes grave dhe burrave
Kërkuesit nuk gjetën dallime të rëndësishme mes grave dhe burrave në mënyrën se si e përkufizonin suksesin profesional. Të dyja palët e lidhnin atë me pozicionin në punë, nivelin e përgjegjësive dhe arritjet profesionale.
Edhe ambiciet e grave mbeteshin të larta. Megjithatë, ato raportonin nivele dukshëm më të ulëta kënaqësie me punën.
Kjo bie ndesh me supozimin se gratë që largohen nga puna pas lindjes e bëjnë këtë sepse gjejnë më shumë kënaqësi në rolin e nënës dhe kujdestares. Sipas autorëve të studimit, nuk kishte prova të mjaftueshme për ta mbështetur këtë shpjegim.
Pas lindjes, ndryshon mënyra si shihet rëndësia e punës së nënës
Një nga ndryshimet më të rëndësishme shfaqet pas lindjes së fëmijës së parë. Sipas kërkimeve, çiftet mund të zhvendosen nga një ndarje më e barabartë e përgjegjësive drejt roleve më tradicionale.
Në këtë fazë, puna e nënës mund të perceptohet si më pak e rëndësishme, ndërsa kujdesi për fëmijën dhe punët e shtëpisë marrin më shumë peshë. Si pasojë, gratë mund të përshtatin karrierën e tyre me nevojat e familjes, duke pranuar më pak mundësi profesionale ose duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi në shtëpi.
Kjo dinamikë lidhet edhe me idetë tradicionale për rolin e grave si nëna dhe kujdestare dhe atë të burrave si mbajtës të familjes, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si ndahen përgjegjësitë brenda familjeve.
Barazia në çift mund të vihet në provë pas fëmijës së parë
Disa çifte që e konsiderojnë veten të barabartë përpara lindjes së fëmijës mund ta kenë më të vështirë ta ruajnë këtë ekuilibër më pas.
Kjo nuk do të thotë se partneri është domosdoshmërisht shkaku i drejtpërdrejtë i problemeve në karrierë, por se mënyra se si çifti ndan kujdesin për fëmijën dhe punët e shtëpisë mund të ketë pasoja të rëndësishme për të dyja karrierat.
Për këtë arsye, ndarja e përgjegjësive familjare është diçka që duhet diskutuar dhe planifikuar konkretisht, në vend që të mbështetet vetëm tek ideja se gjithçka do të ndahet në mënyrë të barabartë vetvetiu.
Çiftet duhet të mendojnë paraprakisht se si do të organizojnë kujdesin për fëmijët dhe punët e shtëpisë, në mënyrë që ardhja e një fëmije të mos përfundojë duke i dhënë njërës karrierë përparësi të vazhdueshme mbi tjetrën./k.m
