Last Updated on 07/07/2026 by EL
Pas përfundimit të afatit të parë, 30 qershor 2026, për zbatimin e nenit 10 të ligjit nr. 86/2025, Administrata Doganore ka përmbyllur procedurat për 260 raste përfituese, të cilat kanë përfituar nga shuarja me kusht e detyrimeve të pagueshme në doganë.
Nga zbatimi i kësaj dispozite:
260 raste përfituan nga ligji;
u falën rreth 168.6 milionë lekë detyrime, penalitete dhe kamatëvonesa;
në buxhetin e shtetit u arkëtuan rreth 66.1 milionë lekë nga pagesa e detyrimeve.
Procesi i zbatimit të Ligjit të Faljes vijon edhe pas përfundimit të afatit të parë. Subjektet që nuk përfituan nga opsioni i shuarjes së 50% të detyrimit kanë ende mundësinë të përfitojnë nga dispozitat e ligjit deri më 31 dhjetor 2026. Konkretisht, për detyrimet e pagueshme në doganë të krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, subjektet që paguajnë 75% të detyrimit kryesor brenda këtij afati përfitojnë shuarjen e 25% të mbetur, si edhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave. Për verifikimin e statusit dhe ndjekjen e procedurave përkatëse, subjektet duhet të paraqiten pranë degëve doganore.
Administrata Doganore ka vijuar edhe procesin e fshirjes automatike të detyrimeve për debitorët me detyrime të krijuara deri më 31 dhjetor 2014. Deri më tani është përfunduar procedura për 264 raste përfituese, me një vlerë totale të detyrimeve të fshira prej rreth 505.5 milionë lekësh. Procesi vijon në të gjitha degët doganore, të cilat, sipas afateve të përcaktuara në ligj, do të vazhdojnë evidentimin dhe trajtimin e rasteve përfituese deri në fund të vitit 2026.
