Dëshironi ta kaloni periudhën e “Ferragosto-s” në zonat malore për t’i shpëtuar temperaturave të larta? Ekzistojnë disa destinacione ekonomike ku mund të organizoni pushime me një buxhet prej më pak se 500 eurosh, shkruan Valeria Paglionico në median italiane “Fanpage.it”.
Që nga fillimi i verës 2026, Italia është përballur me valë të njëpasnjëshme të të nxehtit, me temperatura që në shumë zona kanë arritur deri në 40 gradë Celsius. Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë pushues po zgjedhin malet në vend të destinacioneve tradicionale bregdetare, për të shijuar klimën më të freskët.
Sipas medias italiane “Fanpage.it”, është e mundur të organizohen pushime malore me kosto të përballueshme edhe gjatë periudhës së “Ferragosto-s”, një nga sezonet më të ngarkuara turistike në Itali.
“Ferragosto”, që festohet çdo vit më 15 gusht, është festa më e rëndësishme e verës në Itali. Gjatë kësaj periudhe, shumica e italianëve marrin pushime dhe udhëtojnë drejt plazheve, maleve apo destinacioneve të tjera turistike. Festa e ka origjinën në Romën e lashtë, kur perandori Augusti vendosi një periudhë pushimi pas punëve bujqësore, ndërsa më vonë u lidh nga Kisha Katolike me festën e Ngjitjes së Virgjëreshës Mari në Qiell.
Pushime në Alpet Shqiptare
Shqipëria renditet ndër destinacionet më të preferuara të verës 2026, falë çmimeve konkurruese dhe peizazheve të larmishme. Për pushime në mal, zgjedhjet më të rekomanduara janë fshatrat tradicionalë të Thethit dhe Valbonës, të njohur për shtigjet e ecjes dhe ekskursionet në natyrë.
Një javë akomodim kushton aktualisht nga 250 deri në 300 euro për dy persona në Theth, ndërsa rreth 150 euro për dy persona në Valbonë. Aeroporti më i afërt është ai i Tiranës, ku fluturimet nga Milano, Roma dhe Napoli kushtojnë pak më shumë se 100 euro.
Sipas “Fanpage.it”, pesë destinacionet më ekonomike për pushime malore gjatë verës 2026 janë:
Alpet Shqiptare
Dolomitet
Malet e Abruzzo-s
Malet e Malit të Zi
Karpatet dhe Transilvania /Mxh
