Pretendimet se përdorimi i antidjersave mund të shkaktojë kancer të gjirit dhe të “bllokojë toksinat” në zonën e sqetullave janë ndër mitet shëndetësore më të përhapura në internet.
Megjithatë, provat shkencore deri më sot nuk kanë gjetur një lidhje mes përdorimit të antidjersave dhe zhvillimit të kancerit të gjirit.
Ekspertët sqarojnë se, megjithëse sqetullat përmbajnë nyje limfatike të rëndësishme për sistemin imunitar, ato nuk funksionojnë si zona ku grumbullohen “toksina” të bllokuara nga deodorantët apo antidjersat.
Ja çfarë tregojnë faktet shkencore mbi sistemin limfatik, djersitjen dhe përdorimin e produkteve kundër djersës:
Sistemi limfatik dhe sqetullat
Sqetulla përmban nyje limfatike aksilare, të cilat janë pjesë e sistemit imunitar.
Ato filtrojnë lëngun limfatik që vjen nga zona të tilla si krahu, kraharori dhe gjiri.
A bllokon antidjersa eliminimin e toksinave?
Jo. Antidjersat që përmbajnë kripëra alumini veprojnë duke ulur përkohësisht prodhimin e djersës, duke bllokuar pjesërisht kanalet e gjëndrave të djersës.
Djersitja ka si funksion kryesor rregullimin e temperaturës së trupit, jo eliminimin e toksinave.
A lidhen antidjersat me kancerin e gjirit?
Kjo është një nga frikërat më të përhapura online, por nuk ka prova shkencore që përdorimi i antidjersave shkakton kancer të gjirit.
Shoqata Amerikane e Kancerit thekson se shumica e studimeve nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të antidjersave dhe zhvillimit të kancerit të gjirit.
Një studim i madh me pjesëmarrjen e rreth 800 grave me kancer gjiri dhe një grupi kontrolli nuk gjeti lidhje mes antidjersave, deodorantëve dhe rrezikut për kancer.
Një studim i publikuar në “Journal of Cosmetic Dermatology” gjithashtu raportoi se antidjersat me bazë alumini nuk u shoqëruan me rritje të rrezikut për kancer gjiri.
A përthithet alumini nga antidjersat?
Po, mund të përthithet një sasi shumë e vogël, por kjo nuk do të thotë se shkakton sëmundje.
Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Kancerit, një studim mbi përthithjen e aluminit nga antidjersat me klorhidrat alumini gjeti se vetëm rreth 0,012% e sasisë së aplikuar përthithej përmes lëkurës.
A ndihmon masazhi në sistemin limfatik?
Sistemi limfatik nuk ka një “zemër” që pompon lëngun limfatik, ndaj lëvizja e muskujve, frymëmarrja dhe aktiviteti fizik ndihmojnë qarkullimin limfatik./mxh
