Nga Preç Zogaj
Në historinë e demokracisë sonë të re, protestat popullore me kërkesa politike kanë patur secila veçoritë e tyre të lidhura me kohën, kontekstin, imperativin, e tjerë.
Kanë patur sakaq një gjë të përbashkët: në fund të herës qëllimet i kanë arritur në tryezën e bisedimeve me palën përballë.
Herë me bisedime të drejtpërdrejta me krerët e pushtetit, siç ka qenë takimi i dërgatës studentore me Presidentin Ramiz Alia në Pallatin e Brigadave në 11 dhjetor 1990. Takim i cili çoi në përmbushjen e kërkesës kryesore të lëvizjes studentore: fitoren e pluralizmit politik, që shënoi fundin e regjimit njëpartiak dhe kthimin e vendit me fytyrë nga Perëndimi.
Herë të tjera duke ua deleguar përfaqësimin partive opozitare brenda sistemit. Kjo ka ndodhur për shembull me grevën e urisë së Minatorëve të Valiasit në maj të vitit 1991. E mbështetur nga grevat kombëtare të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ajo çoi në rrëzimin e qeverisë “Nano” tre muaj pasi kishte fituar zgjedhjet e para shumëpartiake të 31 marsit 1991. Marrëveshja për krijimin e një qeverie tranzitore pluraliste me mandat të kufizuar deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas një viti u negociua në tryezën e dy partive kryesore parlamentare, PS-PD. Natyrisht në monitorimin e krerëve sindikalistë.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me revoltat popullore të fundvitit 1996 dhe fillimvitit 1997 për humbjen masive të parave në skemat mashtruese piramidale. Kreditorët e dëmtuar ia drejtuan gishtin e përgjegjësisë qeverisë së PD-së dhe Presidentit Berisha.
Këta jo vetëm i kishin toleruar grabitësit e kursimeve të shqiptarëve, por edhe e kishin inkurajuar mashtrimin, deri duke e përdorur sloganin publicitar “me ne fitojnë të gjithë” të piramidës më të madhe si sloganin kryesor elektoral të partisë në zgjedhjet e 26 majit 1996. Falë revoltave në Lushnjë, Tiranë, Vlorë e gjetkë, qeveria dha dorëheqjen tetë muaj pas fitores së kontestuar. Krijimi i një qeverie pluraliste me detyrën për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme u negociua mes partive të opozitës dhe atyre në qeveri në mars të vitit 1997. Partitë e opozitës, sidomos ajo socialiste e kishin lejen dhe kishin provuar edhe më parë të negocionin zgjidhjen e konfliktit të qytetarëve me qeverinë.
Në dritën e këtyre shembujve, protesta rinore popullore pa pauza e dy muajve të fundit ka një “të re”: për herë të parë një protestë e këtyre përmasave është e distancuar nga partia kryesore e opozitës. Kryetari i PD-së, Berisha, konsiderohet gjymtyrë e një binomi me Ramën, bashkëpërgjegjës me të për bllokimin e sistemit politik. As ai, as njerëzit rreth tij nuk autorizohen nga protesta të jenë zëri i saj brenda institucioneve.
Sa keq! Le të imagjinojmë për një çast sikur PD të kishte zgjedhur në krye të saj me garë të ndershme një lider të ri. Protesta do të kishte shumë më shumë shanse për realizimin e kërkesave të saj. Shfaktorizimi i opozitës më të madhe, ndërkohë që vetë protesta nuk është e nuk ka përse të bëhet subjekt politik, së paku në këtë fazë, përbën një hendikap me të panjohura në rrugën që do të ndjekin kërkesat e saj për t’u realizuar.
Ligji i ri elektoral me proporcional kombëtar dhe lista të hapura, ligji i ri për financimin e partive politike, ndërhyrjet në Kushtetutë dhe gjithë paketa për reformimin e sistemit politik mund të realizohen vetëm përmes Kuvendit. Pa u votuar nga kuorumet përkatëse të deputetëve ato mbesin dëshira.
Po ashtu një ligj themelor i së drejtës për kthimin real dhe kompensimin real të pronës pronarëve të ligjshëm, që vizioni për “Shqipërinë e re” nuk mund të mos e ketë. Përndryshe do të mbetej përsëri e vjetër. Një ligj që do të vendoste gurin e munguar në themelet e demokracisë shqiptare. (Në parantezë, si mund të jenë dhënë e të vazhdojnë të jepen toka publike pa kompensuar pronarët e ligjshëm të tokës bujqësore, të dënuar tre herë përgjatë një gjysmë shekulli nga reforma agrare komuniste, nga kolektivizimi dhe ligji 7501? Si mund të doroviten sipërmarrës të rinj të klientelës qeveritare, vendas apo të huaj pa u kthyer borxhet ish-pronarëve)?
Për të gjitha këto protesta mund të imponohet me vendosmërinë e saj, me qartësinë, me konsistencën dhe mbi të gjitha me numrat. Ajo duhet të ketë përfaqësuesit e vet aty ku konceptohen, diskutohen e bëhen gati për miratim ligjet e reja, së paku ato që do të na çojnë në zgjedhjet e reja.
Njihet kompleksi psikologjik i kalimit nga fronti i betejave në luftë apo protestave në paqe në tryezën e bisedimeve. Po kjo është rruga për të finalizuar një kauzë, alternativa e vetme përkundrejt të ashtuquajturave zgjidhje leniniste me marrje të pushtetit me dhunë.
Askush nuk duhet të ketë komplekse të ulet në momentin e duhur me palën “armike”. Disidentët e Polonisë u ulën në vitin 1989 me liderin e regjimit që i kishte burgosur dhe fituan aty fillimin e shembjes së komunizmit në gjithë vendet e Europës Qendrore. Bisedojnë armiqtë e jo më njerëzit e një gjuhe dhe gjaku, që në fund të fundit, pavarësisht mospajtimeve dhe kontradiktave, janë në varkën e një atdheu, një qëllimi në rastin tonë për ta çuar vendin në BE. Forca në momente të tilla është e pikësëpari e atyre që ulen për zgjidhje me kundërshtarët në pushtet. Kaq për ligjet.
Kërkesa kryesore për dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë nuk ka gjasa të negociohet.
Një kryeministër jep dorëheqje kur humbet mbështetjen në partinë e tij, siç ishte së fundmi rasti i ish-kryeministrit britanik Stamer. Kur humbet aleatë dhe deputetë të partisë së tij a koalicionit qeveritar në Parlament. Kur vendos vetë për arsye të caktuara siç ka qenë rasti i laburistit Tony Blair që u largua me rrokadë nga fundi i mandatit të tretë duke ia lënë stafetën një laburisti tjetër, Gordon Brown.
Ndërkaq dorëheqja e kryeministrit me protesta popullore mund të imponohet vetëm me numra në sheshet e protestës. Një shumare e stërmadhe qytetarësh në Tiranë dhe në rrethe që bërtasin njëzëri pa u shkulur nga vendi largimin e tij ia pakësojnë ajrin kryeministrit.
Rama dhe protesta qëndrojnë tani në dy skajet e litarit me gushtin e thatë në mes, duke matur kohën. Kryeministri përgjon dhe shpreson rrazbitjen e mëtejshme të protestës, ose mbetjen e saj në aq numra sa ka tani.
Protesta e ka shkundur, ia ka liruar rrënjët si asgjë tjetër më parë, ia ka hequr aureolën e liderit fuqiplotë, e ka hutuar. Ai nuk mund të jetë më ai që ishte para protestës.
Protesta nga ana tjetër mbahet fort për t’u rritur në vjeshtë. Kur beteja e saj e madhe do të jenë numrat. Manualet që këshillojnë shtimin e tyre kanë plot përgjigje.
