Nga Iris Beqiri
Femicidi nuk është vetëm një tragjedi familjare, por edhe një problematikë sociale në Shqipëri. Vit pas viti, shifrat janë gati-gati të frikshme. Një rast i tillë u përsërit jo më shumë se 24 orë më parë.
Sipas një raporti, në vendin tonë, gjatë periudhës 2021-2023, në 19 bashki të territorit ndodhën 32 vrasje të grave dhe vajzave, prej të cilave 24 vrasje rezultuan të ishin femicide. Shkalla e femicidit ishte 0.84 për 100,000 gra, ndërsa sipas të dhënave, thuajse në 60% të rasteve vrasjet kanë ndodhur në banesën e viktimës.
Dhe të gjitha këto të dhëna nuk duhet të trajtohen kurrsesi si statistika, pasi duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare. Ky manifestim brutal i kësaj forme të dhunës me bazë gjinore po merr shumë jetë njerëzish. Këputja e zinxhirit të këtij fenomeni do të ishte një ndarje përfundimtare e një përshkallëzimi tragjik të dhunës.
Por femicidi nuk është vetëm një çështje private brenda familjes, por edhe një çështje që kërkon veprim politik për ndërmarrjen e hapave të duhur, si në aspektin e politikave, ashtu edhe për ndryshime të caktuara ligjore.
Një shqetësim i kahershëm, i ngritur vazhdimisht nga shoqëria dhe aktorë të shumtë jopolitikë, e që rihapet sa herë ripërsëriten rastet, është mungesa e përcaktimit ligjor të femicidit në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Nevojitet një ndarje më specifike për vrasjet me këtë bazë gjinore, ngjarje që në thelb pasqyrojnë modele të dhunës e dominimit me të cilat gratë dhe vajzat përballen vazhdimisht. Ndërkohë që edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina po veprohet politikisht e ligjërisht për të shtuar dallueshmërinë jo vetëm në terma, por edhe ndjekjen penale të këtyre ngjarjeve.
E kur rastet ‘trokasin’ në shoqëri, kuptohet qartazi se një nismë e tillë nuk është thjesht e nxitur nga një lajm apo ngjarje e ditës, por një domosdoshmëri.
Femicidi duhet të vendoset në Kodin Penal sepse një krim i tillë meriton ndëshkimin e duhur ligjor, pasi ligjet aktuale mbi këtë krim shpesh dështojnë të adresojnë mizogjininë sistemike dhe pabarazitë që nxisin këto krime, duke çuar në dënime më të lehta dhe boshllëqe në drejtësi për viktimat dhe familjart e tyre.
Një hap i tillë është me rëndësi jo vetëm prej një mungese në Kodin Penal, por mbi të gjitha sepse përcaktimi ligjor i feminicidit mundëson përgjigje më të qarta nga zbatuesit e ligjit, gjyqësori dhe institucionet për të trajtuar shkaqet rrënjësore të saj dhe për të parandaluar ndodhitë e ardhshme./K.M
