Hollywood-i po përballet me një krizë të thellë të industrisë së filmit, ndërsa mungesa e prodhimeve të mëdha amerikane ka lënë më shumë hapësirë për temat sociale dhe politike në edicionin e këtij viti të Festivalit të Filmit në Venecia.
Drejtori i festivalit, Alberto Barbera, tha se programi pasqyron gjithnjë e më shumë shqetësimet e kineastëve për zhvillimet aktuale në botë, nga lufta në Gaza dhe pushtimi rus i Ukrainës, te emigracioni, ndryshimet klimatike dhe përqendrimi i pasurisë tek miliarderët.
Festivali më i vjetër i filmit në botë nis të mërkurën dhe do të zgjasë deri më 12 shtator. Tradicionalisht, Venecia shënon fillimin e sezonit të çmimeve në Hollywood, por këtë vit filmat e mëdhenj të studiove janë dukshëm më të paktë.
Barbera e përshkroi situatën në Hollywood si një krizë të rëndë. Sipas tij, studiot po prodhojnë më pak filma, me kosto më të larta, ndërsa disa prej tyre rezultojnë suksese dhe të tjerë dështime të mëdha komerciale.
Festivali hapet me filmin “Ink” të regjisorit Danny Boyle, një dramë mbi marrjen e kontrollit të tabloidit britanik “The Sun” nga Rupert Murdoch në vitin 1969, ngjarje që ndihmoi në krijimin e perandorisë së tij globale mediatike.
Në program janë edhe vepra të emrave të njohur ndërkombëtarë, mes tyre koreano-jugori Lee Chang-dong, japonezi Hirokazu Kore-eda dhe Shinya Tsukamoto.
Nga rreth 4 mijë e 500 aplikime të shqyrtuara, organizatorët vunë re një prirje të fortë të regjisorëve për t’iu drejtuar çështjeve më të nxehta të aktualitetit: luftërave, migracionit, krizës klimatike dhe dobësimit të demokracisë.
Në fokus janë edhe dokumentarët. Një prej filmave më të shumëpritur është portreti gati katërorësh i Elon Musk, nga regjisori Alex Gibney. Ndërkohë, “They’re Here”, nga Laura Poitras dhe Rachel Lauren Mueller, trajton operacionet e ICE kundër emigrantëve në Minesota.
Konflikti në Gaza zë një vend të rëndësishëm në program. Mes filmave që trajtojnë luftën dhe pasojat e saj njerëzore është dokumentari “NAZA”, i kineastëve izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, i cili fokusohet tek vdekjet e civilëve palestinezë.
Kështu, Venecia e këtij viti duket se do të jetë më pak një vitrinë e Hollywood-it dhe më shumë një pasqyrë e një bote të përfshirë nga luftërat, tensionet politike dhe ndryshimet sociale./mxh
