Policia ka arrestuar ish-juristin e Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Hidir Zani, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Stolen Land”.
Ndaj tij, Gjykata e Fierit me vendim të datës 17 shtator 2026, kishte caktuar masën e sigurisë për 56-vjeçarin “Arrest në burg”, pasi akuzohet për shpërdorim detyre në disa raste gjatë ushtrimit të funksionit si jurist në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Fier.
Njoftimi i policisë:
DVP Fier/Vijon operacioni i koduar “Stolen Land”, ndalohet ish-juristi i AShK Fier, i shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë ndaluar shtetasin H. Z., 56 vjeç, banues në Fier, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Stolen Land”, i zhvilluar disa javë më parë.
Ky shtetas ishe shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datë 17.09.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në disa raste.
Shtetasi H. Z. akuzohet se ka shpërdoruar në disa raste, detyrën si jurist në AShK Fier.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./k.m
