Last Updated on 08/11/2026 by Klara
Një makinë kohe që na çon në të kaluarën mund të jetë e pamundur. Sipas një studimi të ri teorik, udhëtimi në kohë mund të funksionojë vetëm në një drejtim: drejt së ardhmes. Shumëkush e ka pyetur veten se ku do të shkonte nëse do të kishte një makinë kohe. A do të kthehej pas në histori, si Marty McFly në filmin “Back to the Future”, apo do të udhëtonte drejt së ardhmes për të zbuluar se çfarë e pret njerëzimin? Një fizikan ka një përgjigje që mund të zhgënjejë adhuruesit e filmave fantastiko-shkencorë: udhëtimi drejt së kaluarës mund të jetë i pamundur.
Hongsheng Zhang, studiues në Universitetin Jinan në Kinë, ka treguar se në një kategori të gjerë universesh teorike, kthimi në të kaluarën është i pamundur. Argumenti mbështetet në një parim të relativitetit, sipas të cilit drejtimi i dritës nuk mund të jetë në kënd të drejtë me drejtimin e lëvizjes së një objekti në kohë. Për ta kuptuar më lehtë, imagjinoni hapësirë-kohën të ndarë në shtresa, përgjatë të cilave përhapet drita. Çdo objekt që lëviz, pavarësisht nëse është më i ngadaltë apo më i shpejtë se drita, duhet t’i kalojë këto shtresa në të njëjtin drejtim, njësoj si të ngjitesh në një shkallë ku nuk mund të zbresësh kurrë.
Nëse lëvizja është gjithmonë përpara, atëherë kthimi në pikën e nisjes bëhet i pamundur.
Sipas Zhang, argumentimi nuk kërkon lëndë ekzotike, efekte kuantike apo supozime mbi përbërjen e universit. “E gjithë çështja ka të bëjë me drejtimet”, tha ai për ScienceAlert.
Dy përjashtimet që mundësojnë udhëtimin në të kaluarën
Në fizikë, udhëtimet drejt së kaluarës njihen si “lakore kohore të mbyllura”, pra trajektore në hapësirë-kohë që kthehen në të njëjtin vend dhe në të njëjtin moment nga ku kanë nisur. Ekuacionet e Ajnshtajnit i lejojnë këto mundësi në disa skenarë të veçantë, për shembull pranë qendrës së një vrime të zezë rrotulluese. Studimi i Zhang, i cili ende nuk i është nënshtruar shqyrtimit nga studiues të tjerë, identifikon dy mënyra teorike për të mundësuar një udhëtim të tillë.
E para lidhet me rrotullimin. Imagjinoni rrezet e dritës që, në vend që të përhapen paralelisht, rrotullohen rreth njëra-tjetrës, si fijet e një litari. Në këto kushte, sipërfaqet e rregullta të dritës nuk mund të formohen dhe mekanizmi që e detyron lëvizjen vetëm përpara nuk funksionon më.
Ky fenomen ndodh pranë qendrës së një vrime të zezë rrotulluese. Sipas teorisë së Ajnshtajnit, një masë që rrotullohet tërheq pas vetes edhe hapësirën dhe kohën, një efekt që sateliti i NASA-s, Gravity Probe B, e mati edhe rreth Tokës në vitin 2011.
Pranë qendrës së një vrime të zezë, kjo tërheqje bëhet aq e fuqishme sa drejtimi i lëvizjes përpara në kohë mund të përkulet në një rreth. Një udhëtar që do të ndiqte këtë trajektore do ta shihte orën e tij duke ecur normalisht përpara, por udhëtimi do ta kthente pikërisht në momentin nga ku ishte nisur. Fizikani Brandon Carter tregoi që në vitin 1968 se lakore të tilla ekzistojnë brenda vrimave të zeza rrotulluese.
Mundësia e dytë lidhet me vetë formën e universit. Imagjinoni një shkallë që ngjitet vazhdimisht, por që për shkak të formës së ndërtesës përfundon sërish në pikën e nisjes. Kështu, edhe pse vazhdon të lëvizësh përpara, përfundon aty ku ke filluar. Shumë nga makinat teorike të kohës të propozuara nga fizikanët, përfshirë ato që bazohen në vrimat e krimbave, mbështeten pikërisht në këtë parim.
Megjithatë, vetë Zhang pranon se studimi ka kufizime. “Studimi nuk na tregon nëse natyra i lejon këto fenomene. Kjo mbetet ende një çështje e hapur dhe është pyetja së cilës do të doja më shumë t’i gjehej përgjigjja”, shpjegoi ai për ScienceAlert.
Destinacioni: e ardhmja
Ndryshe nga udhëtimi drejt së kaluarës, ai drejt së ardhmes është tashmë i mbështetur shkencërisht.
Ajnshtajni tregoi se lëvizja me shpejtësi shumë të lartë ose qëndrimi në një fushë të fortë gravitacionale e ngadalëson kohën për një objekt, krahasuar me të tjerët. Sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës, astronautët që qëndrojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor kthehen në Tokë disa të mijtat e sekondës më të rinj sesa do të ishin po të kishin qëndruar në planetin tonë.
Studimi nuk jep ende një përgjigje përfundimtare nëse universi ynë lejon udhëtimin drejt së kaluarës. Deri atëherë, kushdo që ëndërron një udhëtim me makinën e kohës, ndoshta duhet të përgatitet për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, përveç rastit kur zotëron Gurin e Kohës të universit Marvel./k.m
