Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë në çështjen e senatorit brazilian Flavio Bolsonaro, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara pas largimit nga Brazili, pas humbjes në zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, Trump ka përsëritur kritikat ndaj procesit zgjedhor në vendin e Amerikës Latine, duke e cilësuar atë si “shumë të çuditshëm” dhe duke pretenduar se familja Bolsonaro është trajtuar padrejtësisht.
I pyetur për deklaratat e senatorit brazilian, i cili kundërshton rezultatin e zgjedhjeve dhe pretendon se është udhëheqësi legjitim i vendit, Trump u përgjigj shkurt: “Nuk do të ndërhyj”. Pavarësisht kësaj deklarate, presidenti amerikan shprehu sërish dyshimet e tij për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në Brazil.
Flavio Bolsonaro: Do ta udhëheq opozitën nga SHBA-ja
Flavio Bolsonaro njoftoi të mërkurën se do të drejtojë opozitën braziliane nga Shtetet e Bashkuara, duke iu drejtuar qytetarëve të vendit të tij dhe komunitetit ndërkombëtar.
Në versionin e parë të mesazhit të publikuar, ai e përshkroi veten si “president i zgjedhur”, por më pas e fshiu deklaratën dhe publikoi një version të ri, ku e cilësoi veten si “udhëheqës legjitim” të Brazilit. Ai akuzoi kundërshtarët politikë për vjedhje të zgjedhjeve, pa paraqitur prova që të mbështesin pretendimet e tij.Sipas raportimeve, Bolsonaro u largua nga Brazili përmes Argjentinës dhe Ekuadorit, përpara se të mbërrinte në një aeroport pranë Miamit, së bashku me familjarët e tij.
Largimi i tij ndodhi pasi policia federale braziliane i kishte kërkuar të dorëzonte pasaportat, pas një vizite te babai i tij, ish-presidenti Jair Bolsonaro, i cili ndodhet në burg.
Lula fitoi zgjedhjet, Trump kritikon procesin
Në zgjedhjet presidenciale në Brazil, Luiz Inácio Lula da Silva siguroi fitoren ndaj Flavio Bolsonaros, me një diferencë prej më shumë se katër milionë votash, sipas të dhënave të raportuara.
Fillimisht, Bolsonaro refuzoi të pranonte humbjen dhe deklaroi se do të kërkonte anulimin e rezultatit. Më vonë, Partia Liberale, së cilës ai i përket, e njohu zyrtarisht fitoren e Lulës.
Ndërkohë, Trump ka shprehur vazhdimisht qëndrime kritike ndaj trajtimit të familjes Bolsonaro nga autoritetet braziliane. Deklarata e tij e fundit, ku përjashton ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, por njëkohësisht vë në pikëpyetje zgjedhjet, vjen në një moment tensionesh politike mes mbështetësve të Bolsonaros dhe qeverisë së presidentit Lula.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se Flavio Bolsonaro dhe familjarët e tij kanë marrë viza për të hyrë në SHBA dhe se u është lejuar hyrja pas kontrolleve përkatëse./ad
