Last Updated on 07/05/2026 by Anisa
Administratori i Akademisë së Sigurisë, Milton Nushi, ka deklaruar se sapo është konstatuar helmimi i 56 studentëve në Akademi, janë marrë masat duke dërguar këta të fundit për trajtim.
Nushi thekson se ende nuk ka rezultate sa i përket konstatimeve që janë bërë pasi mostrat janë dërguar në laborator.
“Problematikat janë konstatuar mbasdite dhe dy tre ore mbas konsumimit të drekës menjeherë kemi marrë masat dhe kemi transportuar studentët në QSUT. Kemi njoftuar institucionet AKU dhe Shëndetin Publik për të ardhur, për të parë dhe analizuar shkaqet.
Nuk është konstatuar akoma asgjë sepse kanë shkuar në laborator, presim të dalin rezultatet.
Studentët janë në gjendje të mirë. Kanë pasur bark dhe të vjella. Kompania në Akademinë e Sigurisë bën disa vite që operon. Ushqimi vjen në formën e kateringut dhe shpërndahet te studentët”, tha Nushi.
Administratori ka shtuar se nuk ka pasur asnjëherë raste të tilla helmimi dhe se cilësia e ushqimit ka qenë gjithmonë e mirë. Më tej, ka mohuar spekulimet se videoja e cila qarkullon për nëj ushqim me krimba, nuk është e vërtet dhe e ambienteve të Akademisë së Sigurisë.
“Në ambientet tona nuk konsumohet uthull, vidoeja që ka qarkulluar në rrjetet sociale nuk është e tanishme, mund të ketë vite ndoshta, por te ne konsumohet vetëm vaj dhe kripë.
Helmim nuk ka ndodhur asnjëherë, ushqimi është i mirë shumë. Menutë që përdoren janë sipas standarteve të vendosura nga ministritë përkatëse. Cilësia është shumë e mirë. Çdo gjë vjen me çertifikata. Do presim të shofim rezultatet për të parë çfarë masash do ndjekim. Mësimi vijon normalisht, dhe ushqimi po ashtu. Kompanisë i është bllokuar produkti”, tha Administratori Nushi.
