Një fotografi e realizuar pas arrestimit të ish-princit Andrew është ekspozuar në mënyrë të pazakontë në Muzenë prestigjioz të Louvre-it në Paris, nga një grup aktivistësh britanikë.
Organizata me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, People Vs Elon, publikoi në TikTok momentin kur anëtarët e saj vendosën një kopje të vogël të imazhit në murin e galerisë. Poshtë fotos ishte shkruar: “He’s Sweating Now” (“Tani po djersitet”), një referencë ironike ndaj deklaratave të mëparshme të Andrew se ai nuk djersitet.
Fotografia e përfolur e tregon ish-princin të ulur në sediljen e pasme të një makine SUV, menjëherë pasi u lirua nga paraburgimi në stacionin policor të Aylsham në Norfolk, ku kishte qëndruar rreth 11 orë.
Në përshkrimin e videos, aktivistët shkruan: “They say ‘hang it in the Louvre’. So we did #princeandrew.”
Andrew u arrestua mëngjesin e 19 shkurtit, në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin për shkelje në ushtrimin e funksionit publik. Oficerët e policisë mbërritën rreth orës 08:00 në Wood Farm, brenda pronës Sandringham të Mbretit Charles, ku ai ishte zhvendosur së fundmi.
Pas lirimit, policia konfirmoi se një “burrë në të gjashtëdhjetat nga Norfolk” ishte lënë i lirë nën hetim, pa përmendur emrin e tij.
Fotografia virale u realizua nga fotografi i Reuters, Phil Noble, i cili tha se arriti ta kapte momentin “më shumë falë fatit sesa planifikimit”, pasi kishte ndjekur disa komisariate policie në përpjekje për të fotografuar largimin e Andrew nga paraburgimi./mxh
