Last Updated on 22/08/2026 by Anisa
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të shtunën se Franca do të dërgojë raketa të reja interceptuese në Ukrainë, pas një sulmi të rëndë rus ndaj një qendre tregtare në qytetin Krivyi Rih, në Ukrainën qendrore.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia kreu të premten dy valë sulmesh me dronë ndaj qytetit, duke shkaktuar të paktën 16 viktima dhe 130 të plagosur, mes tyre 23 fëmijë. Sulmi ndaj qytetit të lindjes së presidentit Volodymyr Zelenskyy ka sjellë reagime të forta nga drejtuesit evropianë.
“Është thelbësore t’i sigurojmë Ukrainës të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe për të zmbrapsur këtë agresion”, shkroi Macron në një postim në X, duke shtuar se kishte zhvilluar një bisedë me Zelenskyy pas sulmit të dyfishtë gjatë ditës.
Presidenti francez tha se i kishte shprehur homologut ukrainas “tmerrin” dhe “shqetësimin e thellë” për ngjarjen, ndërsa konfirmoi rritjen e mbështetjes së Parisit, përfshirë dërgimin e raketave interceptuese.
Nga ana e tij, Zelenskyy deklaroi se biseda me Macron kishte zgjatur gati dy orë dhe ishte përqendruar te nevojat e Ukrainës për mbrojtjen ajrore, financimi dhe komunikimet me Uashingtonin.
“Ramë dakord të përshpejtojmë dorëzimin e pajisjeve dhe raketave më të fundit franceze. Faleminderit për konfirmimin e gatishmërisë për të siguruar licenca për prodhimin e raketave”, shkroi Zelenskyy.
Kievi prej kohësh u ka kërkuar aleatëve më shumë raketa interceptuese, për të përballuar sulmet e vazhdueshme ruse me raketa dhe dronë.
Ndërkohë, Ukraina ka vijuar edhe sulmet kundër objektivave në territorin rus. Sipas Zelenskyy, gjatë 24 orëve të fundit janë goditur rafineria e naftës në Novokuybyshevsk, një qendër logjistike në rajonin e Samarës, si edhe objektiva në Detin e Zi.
Ukraina ka intensifikuar muajt e fundit atë që e quan strategjia e “sanksioneve me rreze të gjatë”, duke goditur veçanërisht infrastrukturën energjetike ruse, si rafineri, depo dhe terminale nafte, me synimin për të dobësuar ekonominë ruse dhe makinerinë ushtarake të Vladimir Putinit./ad
