“Ora e Pritjes” u vendos zyrtarisht në Prishtinë… Platforma “Liria ka Emër” përmes saj ka nisur numërimi mbrapsht deri më 16 shtator, datë kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Në aktivitetin e organizuar në kryeqytet morën pjesë përfaqësues të institucioneve, familjarë, qytetarë dhe figura politike, të cilët theksuan rëndësinë e kujtesës për luftën e UÇK-së.
Kryetari i PDK Bedri Hamza tha: “Pritja tashmë është shkurtuar. Por kujtesa jonë nuk shkurtohet. Përkundrazi, sa më shumë afrohet dita, aq më zëshëm duhet të themi, aq më zëshëm duhet thoshim atë që kemi për të thënë.”
Besiana Musmurati, nënkryetare e Prishtinës u shpreh: “Në Hagë gjenden figurat drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor të padrejtë. Familjet e tyre po presin, bashkëluftëtarët po presin, shokët po presin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës po presin.”
Ismail Tasholli nga Liria ka Emër tha: “Në një shoqëri janë ato orët tipike që numërohen mbrapsht. Dhe ne po shpresojmë që me 16 shtator ora e mbrapsht do të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha.”
Ramush Haradinaj, deputet i Aleancës, duke folur në Kuvend, propozoi që Hashim Thaçi, të vazhdojë detyrën aty ku e la, si president i Kosovës, dhe sipas tij kjo do të ishte një zgjidhje për krizën aktuale.
“Është nder edhe i kësaj legjislature që t’ia vazhdojmë mandatit presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati, dhe me kthimin e tij, është në nderin tonë si shqiptarë, si komb, për shkak të një kundërpërgjigjeje armiqve të Kosovës, që t’ua vazhdojmë mandatin”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, platforma “Liria ka Emër” po organizon një sërë aktivitetesh përpara vendimit në Hagë për ish krerët e UÇK-së, ku ndër to është dhe një protestë në Prishtinë në datën 12 shtator./ad
