Dhoma e ulët e parlamentit francez miratoi të enjten një projektligj që e përcakton përdhunimin si çdo akt seksual pa pëlqim, duke i hapur rrugën miratimit të tij përfundimtar nga Senati javën e ardhshme.
Ky veprim vjen pas rastit tronditës të francezes Gisele Pelicot, e droguar nga bashkëshorti i saj i atëhershëm, i cili ftoi dhjetëra të panjohur ta përdhunonin, duke ringjallur një debat mbi pëlqimin në vend.
Anëtarët e parlamentit në Asamblenë Kombëtare të Francës votuan 155 pro dhe 31 kundër në favor të masës, me vetëm ligjvënësit e ekstremit të djathtë që votuan kundër saj.
Projektligji e përcakton përdhunimin si çdo “akt jo konsensual”, duke e sjellë Francën në përputhje me vendet e tjera evropiane përfshirë Gjermaninë, Holandën, Spanjën dhe Suedinë të cilat kanë miratuar legjislacionin për përdhunimin e bazuar në pëlqim.
“Nuk ka pëlqim nëse akti seksual kryhet nëpërmjet dhunës, shtrëngimit, kërcënimit ose befasisë, cilado qoftë natyra e tyre”, thuhet në tekst, duke përfshirë formulimin e përdorur tashmë në përkufizimin aktual ligjor të përdhunimit në Francë.
Projektligji u kundërshtua nga ligjvënësit e ekstremit të djathtë, të cilët e kritikuan përkufizimin në ndryshim të pëlqimit si “subjektiv, të ndryshueshëm dhe të vështirë për t’u kuptuar”. m.p.
