Deputeti i Partisë Demokratike dhe njeherësh Nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj, në një intervistë për “Euronews Albania” ka folur për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, kandidaturën e Florjan Binajt që mbështetet nga opozita ndërsa nuk kanë munguar edhe komentet e tij kundër Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Gjekmarkaj tha se Bajram Begaj është dhunues i Kushtetutës, është përdorur nga Partia Socialiste dhe se është një personazh i paqenë që i ka bërë dëm vendit. Deputeti demokrat theksoi se Begaj është treguar lehtësisht i përdorshëm për agresionin ndaj organeve kushtetuese në shërbim të partisë shtet.
“Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në vend që të ishte garanti i Kushtetutës, u bë dhunuesi kryesor i saj dhe në dijeninë time, arsyet kur Presidenti i Republikës shkarkohet, janë ose kur çmendet ose kur dhunon Kushtetutën. Në këtë rast është e dyta, sepse veprimet e tjera i ka bërë me dashje jo për arsye mendore në shërbim të PS.
Më vjen keq që ata e kanë përdorur kaq shumë. I kanë hequr atë vellon që kishte deri dje si personazh i paqenë dhe mendonim të padëmshëm. Kemi gabuar, se duke qenë i paqenë, aska qenë i dëmshëm dhe lehtësisht i përdorshëm për agresion ndaj organeve kushtetuese në shërbim të partisë shtet.”-tha Gjekmarkaj.
Duke u ndalur tek gara për Bashkinë e Tiranës, Agron Gjekmarkaj tha se PD duke pranuar një kandidat të pavarur, një profil publik mjaft të lartë si Florjan Binaj, me shkollim bazik arkitek dhe aktor shumë i njohur, i ndershëm, ka treguar një shkallë emancipimi duke i ofruar deri tani një aleancë të munguar shoqërisë për tu bërë bashkë për t’i dhënë ndryshim Tiranës dhe Shqipërisë.
“E mbështesim pa ekuivok. PD, strukturat e saj, mbështetësit e saj do ta mbështesin pa hezitim dhe do ta votojnë Binajn. Kemi qenë të bindur më herët, por tani më shumë se kurrë, Tirana ka nevojë për ndryshim dhe për të dhënë një shembull emancipimi në gjithë Shqipërinë me votën e saj për Florjan Binajn.
Jo vetëm strukturat por dhe shoqëria civile, ka mikpritje për Binajn, sensibilitet i lartë, dhe ndihet nevoja për ta ndërprerë mënyrën sesi Tirana është qeverisur. Nëse ka një simbol të keqqeverisjes dhe dështimit të estabilimshmetit politik të PS, është Tirana.
Tani është koha që shoqëria të bëjë aleancë me opozitën dhe pranimi i kësaj kandidatura është shprehja më e mirë e saldimit të kësaj aleance ndaj opozitës dhe shoqërisë duke u bashkuar te figura e Florjan Binajt. Vazhdojmë mbështetjen dhe shpresojmë për fitoren e Binajt në Tiranë.”-tha Gjekmarkaj. m.p.
