Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për dialog me homologun e tij francez, në një intervistë të publikuar të dielën nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti.
Më herët gjatë javës, Emmanuel Macron deklaroi se beson që Evropa duhet të rivendosë kontaktet me Putinin, në vend që t’ia lërë vetëm Shteteve të Bashkuara rolin udhëheqës në negociatat për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
“Pushtimi i Ukrainës dhe këmbëngulja e presidentit Putin e kanë bërë të pamundur çdo dialog gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e Élysée-së. Megjithatë, aty shtohet se sapo perspektiva e një armëpushimi dhe negociatave për paqe bëhet më e qartë, atëherë bëhet sërish e dobishme të flitet me Putinin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po presin këtë fundjavë negociata të tjera që synojnë përfundimin e konfliktit, të cilat po zhvillohen në Florida. Bisedimet po ndërmjetësohen nga i dërguari special amerikan Steve Uitkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner. Në këto negociata, pala ukrainase dhe përfaqësuesit evropianë janë përballë delegacionit rus, të kryesuar nga Kirill Dmitriev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Uashingtoni ka propozuar një format trepalësh, i cili do të shënonte takimin e parë ballë për ballë mes Moskës dhe Kievit pas rreth gjashtë muajsh. Megjithatë, Kremlini e ka mohuar të dielën se janë planifikuar negociata trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Lufta në Ukrainë, e nisur në vitin 2022, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka tensionuar rëndë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit. Në muajt e fundit janë shtuar përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore, ndërsa roli i Evropës në këto negociata mbetet një nga çështjet kyçe të debatit ndërkombëtar./kb