Ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, ka urdhëruar rishikimin e rreth 70 mijë kallëzimeve për dhunë dhe abuzim ndaj të miturve në të gjithë Francën, pas zemërimit publik që shkaktoi vrasja e 11-vjeçares Lyhanna.
Vajza u raportua e zhdukur më 29 maj në qytetin Fleurance, ndërsa më pas u arrestua një 41-vjeçar, babai i një shoku të saj të klasës, i dyshuar për përfshirje në krim. Rasti tronditi opinionin publik pasi autoritetet pranuan se ndaj të dyshuarit kishin ekzistuar më herët akuza për përdhunim të të miturve, të cilat nuk ishin trajtuar siç duhej.
Në një konferencë për shtyp në Paris, Darmanin deklaroi se drejtësia duhet të pranojë gabimet kur ato çojnë në tragjedi të tilla dhe kërkoi një raport të detajuar nga çdo gjykatë dhe prokurori në vend.
Sipas ministrit, autoritetet duhet të verifikojnë nëse ekzistojnë raste të tjera të ngjashme me atë të Lyhannës dhe nëse ka probleme sistemike në funksionimin e drejtësisë franceze. Ai përmendi mungesën e ekspertëve psikologjikë, specialistëve të mjekësisë ligjore dhe hetuesve të specializuar si disa nga mangësitë e mundshme.
Rasti ka nxitur reagime të forta politike në Francë, ku figura të së djathtës dhe të së majtës e kanë cilësuar ngjarjen si dëshmi të dështimit të sistemit për të mbrojtur gratë dhe fëmijët nga dhuna seksuale./mxh
