Opozita izraelite ka kritikuar ashpër qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për mënyrën se si po menaxhon përshkallëzimin e fundit të konfliktit me Iranin.
Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, deklaroi se operacionet ushtarake të ndërmarra nuk kanë sjellë asnjë përfitim strategjik për Izraelin. Sipas tij, fushata aktuale nuk ka afruar rrëzimin e regjimit iranian, nuk ka dobësuar programin bërthamor të Teheranit dhe as kapacitetet e tij raketore.
Lapid, i cili tha se ka mbështetur gjithmonë një qëndrim të ashpër ndaj Iranit, theksoi se çdo sulm ndaj Izraelit duhet të marrë një përgjigje të fortë dhe disproporcionale. Megjithatë, ai argumentoi se lufta aktuale po zhvillohet pa një strategji të qartë dhe pa koordinim me aleatët kryesorë të vendit.
Sipas tij, qytetarët izraelitë po përballen me pasoja të drejtpërdrejta, ndërsa shkollat mbeten të mbyllura dhe aktiviteti ekonomik është paralizuar.
Lapid akuzoi qeverinë se nuk ka shpjeguar qëllimin e operacioneve ushtarake, duke shtuar se mungesa e një objektivi të qartë tregon dështim të udhëheqjes politike dhe të sigurisë.
Deklaratat e tij vijnë ndërsa Izraeli njoftoi se ka goditur objektiva energjetike dhe ushtarake në Iran. Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane akuzoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e sulmeve izraelite dhe paralajmëroi pasoja për ekonominë globale nëse sulmet ndaj objekteve energjetike do të vazhdojnë./mxh
