Last Updated on 29/05/2026 by EL
Asambleja Kombëtare e Francës votoi unanimisht për shfuqizimin e “Code Noir” (“Kodi i Zi”), një ligj kolonial i vitit 1685 që klasifikonte skllevërit si pronë dhe që, ndonëse pa efekt juridik prej dekadash, nuk ishte anuluar kurrë zyrtarisht.
Ligji, i firmosur nga mbreti Louis XIV, përmbante 60 nene që rregullonin jetën e skllevërve në kolonitë franceze. Ai lejonte trajtimin e tyre si mall tregtar, duke parashikuar ndëshkime të rënda për ata që tentonin të arratiseshin dhe duke mohuar të drejtat themelore njerëzore.
Franca e shfuqizoi skllavërinë në vitin 1848, por “Kodi i Zi” mbeti formalisht në fuqi për gati dy shekuj të tjerë. Votimi i fundit në parlament u konsiderua një hap simbolik në përballjen e vendit me të kaluarën koloniale dhe trashëgiminë e skllavërisë.
Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se heshtja e gjatë ndaj këtij ligji ishte kthyer në “një formë fyerjeje”, duke pranuar se nenet e tij “nuk duhej të kishin mbijetuar pas shfuqizimit të skllavërisë”.
Deputeti Max Mathiasin nga Guadelupa, i cili propozoi nismën, tha se vendimi përfaqëson “rikthimin e dinjitetit dhe njerëzores” për pasardhësit e skllevërve.
Megjithatë, aktivistët dhe studiuesit argumentojnë se shfuqizimi ka më shumë vlerë simbolike sesa praktike, pasi problemet e racizmit dhe pabarazive në territoret franceze përtej detit vazhdojnë ende.
Franca ishte një nga fuqitë më të mëdha koloniale dhe transportoi rreth 1.4 milionë afrikanë drejt plantacioneve në Karaibe dhe territore të tjera koloniale. Debati mbi reparacionet për skllavërinë mbetet ende i hapur në vend./et
