Last Updated on 22/11/2026 by Klara
Sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit kanë vënë në alarm disa vende evropiane gjatë muajit të fundit. Nga frigoriferët e supermarketeve që kalonin papritur në modalitetin e shkrirjes, te sistemet spitalore të bllokuara, të dhënat bankare të vjedhura dhe kërcënimet e rreme për bomba në avionë, incidentet kanë nxjerrë në pah dobësitë e infrastrukturës kritike. Autorët e shumicës së tyre mbeten ende të paidentifikuar.
Më 2 dhe 3 nëntor, frigoriferët e supermarketeve në disa vende të Evropës nisën të kalonin vetë në modalitetin e shkrirjes. Në disa dyqane, temperatura u ngrit deri në 50 gradë Celsius. Supermarketet në Gjermani, Itali, Holandë, Belgjikë, Rumani dhe Suedi u detyruan të hidhnin sasi të mëdha mishi dhe ushqimesh të ngrira për shkak të prishjes së tyre. Sulme u raportuan edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa u prekën gjithashtu disa banka gjaku në Francë.
Komisioneri i BE-së për Ushqimin dhe Bujqësinë, Christophe Hansen, e cilësoi ngjarjen si një përpjekje të qëllimshme për të ndërprerë zinxhirin e furnizimit me ushqime. Megjithatë, gati tri javë pas incidentit, askush nuk ka marrë përgjegjësinë dhe motivet mbeten të paqarta.
16 incidente në një muaj
Sulmet ndaj frigoriferëve janë pjesë e një liste prej 16 incidentesh të evidentuara nga DigitalEurope, shoqata që përfaqëson industrinë e teknologjisë dixhitale në Evropë, gjatë periudhës 18 tetor deri më 18 nëntor.
Njëmbëdhjetë prej tyre ishin sulme kibernetike. Në Norvegji, hakerat morën nën kontroll sistemet informatike të një kompanie energjetike, ndërsa në Gjermani një spital rajonal u detyrua të mbyllte urgjencën. Në shënjestër ishte edhe një kompani ndërtimi tunelesh që operon në Danimarkë dhe Gjermani, prej së cilës u vodhën të dhëna.
Në një institucion të Bashkimit Evropian, sistemet e burimeve njerëzore, pagave dhe shërbimeve mjekësore dolën jashtë funksionit. Të dhënat personale të 18 zyrtarëve të lartë nga Italia, Gjermania dhe Holanda u publikuan në internet, ndërsa në emailet e qeverisë rumune u zbulua një program keqdashës për spiunazh.
Sulmet prekën edhe sektorin financiar. Rreth 100 milionë euro u përvetësuan nga një bankë franceze përmes një prej furnitorëve të saj, ndërsa në Itali u ekspozuan mbi 700 llogari klientësh të një kompanie fintech. Në Danimarkë, hakerat arritën të siguronin të dhëna nga një sistem i vjetër i një grupi transporti detar.
Pesë incidentet e tjera ishin të natyrës fizike dhe përfshinin edhe dy plane sabotimi. Rreth 80 avionë humbën sinjalin GPS mbi Detin e Veriut, dronët detyruan Moldavinë të mbyllte hapësirën ajrore, ndërsa kërcënime të rreme për bomba prekën më shumë se 35 fluturime në Evropë.
“Qëndrueshmëria nuk është më vetëm detyrë e departamentit të teknologjisë së informacionit. Ajo është çështje e politikave të sigurisë dhe industrisë”, deklaroi Cecilia Bonefeld-Dahl, drejtoreshë e përgjithshme e DigitalEurope.
Fjalëkalimi që hapi dyert e frigoriferëve
Sulmet e nëntorit nuk ishin të parat. Në mesin e tetorit, hakerat morën kontrollin e njësive frigoriferike në të paktën 350 supermarkete në Francë, përfshirë dyqanet e Carrefour, Monoprix, Intermarché dhe Coopérative U, duke ndryshuar manualisht temperaturat.
Agjencia franceze e sigurisë kibernetike bëri të ditur se pajisjet përdornin programe të kompanisë daneze Danfoss, si dhe sisteme Copeland dhe Dixell. Sipas Danfoss, shumë prej pajisjeve kishin arritur në fund të jetëgjatësisë së tyre, nuk merrnin më përditësime sigurie ose funksiononin me programe të vjetruara.
Sistemet e frigoriferëve në supermarkete janë shpesh të lidhura me internetin, në mënyrë që teknikët të mund t’i monitorojnë dhe riparojnë nga distanca. Kompania e sigurisë kibernetike Forescout zbuloi rreth 13 mijë shërbime të kontrollit të sistemeve frigoriferike të aksesueshme drejtpërdrejt në internet, në 99 vende të botës.
Në nëntor, sulmuesit shfrytëzuan dobësitë e njohura të sigurisë në sistemin AK-SM të Danfoss. Shumë pajisje vazhdonin të përdornin kredencialet fillestare të fabrikës, si emrin e përdoruesit “Supervisor” dhe fjalëkalimin “12345”.
George Nott, redaktor i teknologjisë në revistën tregtare The Grocer, tha se sulmuesit kishin gjetur faqet e identifikimit të ekspozuara në internet dhe kishin shfrytëzuar dobësi për të cilat ekzistonin tashmë përditësime sigurie. Në Suedi, rrjeti Coop konfirmoi se pajisjet në shtatë dyqanet e prekura ishin të lidhura përmes rrjeteve të vjetra celulare 4G.
Sipas Xavier Bellekens, drejtues i kompanisë së sigurisë kibernetike Lupovis, përdorimi i rrjeteve private virtuale (VPN) për lidhjen e sistemeve do ta kishte ulur ndjeshëm rrezikun e sulmeve.
Kush fshihet pas sulmeve?
Nga 16 incidentet e evidentuara nga DigitalEurope, në shtatë raste nuk është identifikuar asnjë autor. Për katër prej tyre, përgjegjësinë e kanë marrë vetë sulmuesit, në dy raste hetuesit dyshojnë për një aktor të caktuar pa e identifikuar zyrtarisht, ndërsa vetëm tri incidente u janë atribuar publikisht autorëve nga qeveritë ose studiuesit.
Paqartësia, sipas DigitalEurope, është një nga armët më të forta të sulmeve hibride, pasi ato mund të realizohen me kosto të ulët, të mohohen lehtësisht dhe të jenë të vështira për t’u lidhur me një autor të caktuar.
Edhe sulmet ndaj frigoriferëve kanë ngritur pikëpyetje. Lupovis deklaroi se sistemet e saj të monitorimit kishin regjistruar më shumë se 276 përpjekje nga 91 aktorë të ndryshëm për të testuar pajisjet Danfoss brenda 10 ditëve. Aktiviteti arriti kulmin më 26 tetor dhe përfundoi në fund të muajit.
Gjurmët çuan drejt shërbimeve të ashtuquajtura “bulletproof hosting”, struktura që synojnë t’i rezistojnë ndërhyrjeve të autoriteteve dhe mbylljes së shërbimeve. Disa prej tyre janë përdorur më parë nga grupe ruse. Bellekens theksoi se kjo nuk provon përfshirjen e Rusisë, megjithëse sipas tij ekziston një model i caktuar aktiviteti. Koordinimi i sulmeve brenda një periudhe prej rreth 24 orësh sugjeron një operacion të organizuar mirë, ndoshta me përfshirjen e një shteti.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët ndajnë të njëjtin vlerësim. Drejtori i Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Rumanisë, Dan Cimpean, i cilësoi sulmet si “gjysmë amatore” dhe tha se nuk dyshonte për përfshirjen e një aktori shtetëror. Pas sulmit në Francë, Ken Munro nga kompania britanike Pen Test Partners ngriti mundësinë që pas tyre të fshiheshin thjesht të rinj që eksperimentonin me sistemet.
Një tjetër element që ka habitur hetuesit është mungesa e kërkesave për shpërblim financiar. Grupet kriminale dhe aktivistët kibernetikë zakonisht përpiqen të përfitojnë financiarisht ose të marrin vëmendje publike nga sulmet. Edhe institucionet evropiane nuk kanë përdorur të njëjtin përkufizim për ngjarjet, disa i kanë cilësuar si sulme kibernetike, të tjera si incidente kibernetike, ndërsa Agjencia e BE-së për Sigurinë Kibernetike, ENISA, nuk ka arritur t’i klasifikojë përfundimisht si sulme.
Të njëjtat objektiva, metoda të ndryshme
Të dhënat e DigitalEurope tregojnë se kufiri mes sulmeve dixhitale dhe atyre fizike po bëhet gjithnjë e më i paqartë. Gjatë të njëjtës periudhë, një kompani gjermane që prodhon dronë ushtarakë u sulmua përmes një përditësimi të manipuluar të programit të saj, ndërsa një sulm me zjarrvënie ndaj një kompanie tjetër në Estoni u parandalua.
Në Gjermani u zbulua gjithashtu një plan për të shkaktuar zjarre pranë një linje hekurudhore dhe një linje elektrike.
“Sulmet dixhitale dhe ato fizike po godasin të njëjtat objektiva”, thekson DigitalEurope, duke evidentuar shtrirjen e incidenteve nga Deti i Veriut deri në Rumani dhe Moldavi.
BE kërkon më shumë investime në sigurinë kibernetike
Drejtoresha e DigitalEurope, Cecilia Bonefeld-Dahl, kërkon që Evropa të rrisë investimet në teknologjitë që mundësojnë zbulimin, parandalimin dhe rikuperimin nga sulmet.
Organizata u ka bërë thirrje liderëve të BE-së që të ndajnë të paktën 25% të buxhetit të ardhshëm evropian, me vlerë afro 2 trilionë euro, për teknologjitë e mbrojtjes dhe sigurisë. Sipas saj, aktualisht vetëm 14% e fondeve shkojnë për sektorin dixhital.
Megjithatë, kjo shifër prej 14% i referohet pjesës së shpenzimeve dixhitale në buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2025, përfshirë fondin e rimëkëmbjes pas pandemisë, dhe jo buxhetit të ri që po negociohet. DigitalEurope përfaqëson gjithashtu një industri ku bëjnë pjesë shumë kompani që do të përfitonin nga shitja e këtyre teknologjive.
Në Bruksel, reagimi institucional po merr formë përmes rishikimit të Aktit të Sigurisë Kibernetike të BE-së, proces që në Parlamentin Evropian drejtohet nga eurodeputetja çeke Markéta Gregorová.
Çfarë pritet më tej?
Ekspertët paralajmërojnë se frigoriferët mund të jenë vetëm fillimi. Sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe ajrit të kondicionuar, etiketat elektronike të rafteve dhe madje edhe robotët që pastrojnë dyshemetë mund të kenë të njëjtat dobësi sigurie.
Kumar Sokka, drejtues i kompanisë Acre Security, thekson se të njëjtat lloj pajisjesh kontrolluese mund të përdoren për dyert, sistemet e aksesit, kamerat, alarmet dhe klimën e ndërtesave. Sipas tij, organizatat shpesh ia lënë këto sisteme në dorë ekipeve të mirëmbajtjes, pa i trajtuar si pjesë të detyrimeve të tyre për sigurinë kibernetike sipas direktivës NIS2 të BE-së.
Edhe inteligjenca artificiale mund ta përkeqësojë situatën. Gianni Cuozzo, themelues dhe drejtues i kompanisë Exein, paralajmëron se AI po shkurton kohën nga zbulimi i një dobësie teknologjike deri në krijimin e një sulmi, duke e bërë të domosdoshme që pajisjet e lidhura me internetin të jenë në gjendje të mbrojnë veten gjatë funksionimit.
Bonefeld-Dahl pritet të diskutojë përgjigjen e Evropës ndaj këtyre kërcënimeve në Vilnius të Lituanisë javën e ardhshme. Ajo e mbylli mesazhin e saj me një pyetje që mbetet ende pa përgjigje: Cili do të jetë objektivi i radhës?/k.m
