Last Updated on 22/11/2026 by Klara
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka folur përpara gazetarëve, së bashku me kryeministrin Edi Rama, gjatë prezantimit të pikës së vetme kufitare ndërmjet dy vendeve, “One Stop Shop”.
Sipas Mickoskit, sistemi i ri kufitar është një mundësi e artë për rritjen e turizmit në vendet fqinje, veçanërisht për Liqenin e Ohrit dhe zonat përreth, të cilat ndodhen në një distancë të afërt nga pika e vetme e kontrollit kufitar.
Për Mickoskin, ky projekt nuk është i vetmi, pasi pritet që në vijim të gjitha pikat kufitare Shqipëri–Maqedoni e Veriut të funksionojnë me të njëjtën metodologji.
“Është nder i veçantë që jam me mikun tim të dashur, Edi Ramën. Në këtë eveniment të rëndësishëm, dua të uroj shqiptarët për festën e alfabetit.
Është kënaqësi e veçantë që fillojmë me vendosjen e një pike të vetme kufitare, ‘One Stop Shop’, që do të lehtësojë komunikimin mes dy vendeve dhe do të sjellë një transport më të mirë.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë shumë të mira.
Do të përforcojmë lidhjet edhe në pikat e tjera kufitare.
Është një vlerë e shtuar për të dy vendet, për rritjen e turizmit, sidomos për Liqenin e Ohrit dhe komunat e tjera pranë tij, si dhe për turistët që vijnë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë për të pushuar në bregdet.
Dëshiroj të falënderoj ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Punëve të Brendshme, doganierët dhe këdo që kontribuoi për hapjen e kësaj pike kufitare.”, tha Mickoski./k.m
